Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale po ndërmerr masa dhe aktivitete përkatëse për të sqaruar plotësisht rrethanat që lidhen me fotografitë ku shihet kryerja e një rituali fetar mbi automjete zyrtare policore, brenda oborrit të Ministrisë.
“Në lidhje me fotografitë e publikuara për të cilat pyesni, Ministria e Punëve të Brendshme ju informon se Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së po ndërmerr masa dhe aktivitete përkatëse për sqarimin e plotë të rrethanave, pas së cilës opinioni do të informohet në mënyrë adekuate”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për “Skopje1”.
Fotografitë, të cilat ditët e fundit janë shpërndarë në rrjetet sociale, kanë shkaktuar reagime të ashpra në opinion. Në to shihet një prift duke kryer ritual fetar dhe bekimin e automjeteve zyrtare në oborrin e MPB-së, ndërsa të pranishëm janë edhe zyrtarë policorë.
Një pjesë e qytetarëve e arsyetojnë këtë veprim, duke theksuar se në traditën ortodokse ekziston lutje për bekimin e automjeteve dhe se bëhet fjalë për një gjest simbolik me qëllim mbrojtjeje dhe sigurie. Në anën tjetër, një pjesë tjetër e opinionit reagon ashpër, duke vlerësuar se kjo praktikë bie ndesh me parimin kushtetues të sekularitetit dhe se institucionet shtetërore duhet të jenë fetarisht neutrale.