“Plisat” me reagim të ashpër, “e godasin” kryesinë e deritashme të KB Prishtinës dhe s’e njohin Kuvendin e as kryetarin e ri Bekë Berisha
Tifo-grupi “Plisat” ka reaguar ashpër pas Kuvendit të KB Prishtina, në të cilin është zgjedhur Bekë Berisha si kryetar i ri i klubit të basketbollit të kryeqytetit.
Në reagimin e tyre publik, Plisat e kanë cilësuar Kuvendin si të paligjshëm dhe procesin e zgjedhjes si të padrejtë, duke theksuar se zgjedhja e kryetarit është bërë pa transparencë dhe pa një garë të hapur për ide dhe vizion për të ardhmen e klubit.
Sipas tifo-grupit, Bekë Berisha nuk ka lidhje me klubin, sportin apo kryeqytetin dhe nuk gëzon mbështetjen e tifozëve. Plisat akuzojnë kryesinë aktuale për keqmenaxhim, keqpërdorime dhe shkatërrim të klubit, duke shtuar se vendosja e një figure “nga jashtë” në krye të klubit nuk mund të mbulojë problemet ekzistuese.
Në reagim përmenden edhe emra të drejtuesve të klubit, të cilët Plisat i akuzojnë për frikë nga llogaridhënia dhe për veprime të dëmshme për klubin. Po ashtu, shqetësim është ngritur për praninë e komandantit të Stacionit Policor të Prishtinës në Kuvend, duke u shtruar pyetje mbi rolin e tij në këtë proces.
Në fund, Plisat deklarojnë se nuk e njohin këtë Kuvend, kryesinë aktuale dhe as zgjedhjen e Bekë Berishës si kryetar, duke paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.