Policia e Kosovës ka njoftuar se ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe mjete shpërthyese gjatë një aksioni të zhvilluar sot në fshatin Joshevik, në komunën e Zveçanit.

Sipas njoftimit në Facebook, rreth orës 09:20, Policia e Kosovës, pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative, në fshatin Joshevik, komuna e Zveçanit, gjatë kontrollit të një shtëpie të braktisur ka gjetur dhe sekuestruar, 1 armë automatike AK-47, 1 pushkë gjysmë automatike dytytëshe, 10 karikatorë të zbrazët, 6, karikatorë të mbushur me nga 30 fishekë, 84 fishekë për pushkë automatike, 14 fishekë për pushkë, gjysmë automatike, 1 rrip për fishekë, 2 granata dore M50, pajisje për pastrimin e armëve, transmeton Klankosova.tv.

“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.Deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka persona të arrestuar në lidhje me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Kosovës po ashtu ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme, si dhe ka inkurajuar që çdo rast të dyshimtë apo veprim të kundërligjshëm ta raportojnë në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor.

“Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të sigurojmë një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët, pa dallim”, thotë Policia./Klankosova.tv

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com