Mbi 45 milionë denarë janë paguar nga Qyteti i Shkupit gjatë vitit 2025 për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga sulmet e qenve endacakë, bazuar në 383 vendime gjyqësore në favor të qytetarëve.

Sipas të dhënave zyrtare, nga 1 janari 2025 deri më 15 janar 2026, në Gjykatën Themelore Civile Shkup janë paraqitur gjithsej 440 padi për kompensim të dëmit jo material të shkaktuar nga qentë endacakë. Nga Qyteti i Shkupit sqarojnë se këto lëndë ende nuk janë të formës së prerë, pasi procedurat gjyqësore për raste të tilla zgjasin mesatarisht nga dy deri në tre vjet.

“Në periudhën nga 01.01.2025 deri më 15.01.2026, para Gjykatës Themelore Civile Shkup janë paraqitur 440 padi me bazë kompensimin e dëmit jo material të shkaktuar nga qen endacakë. Lëndët nuk janë të përfunduara, pasi procedurat zgjasin dy deri në tre vjet. Vetëm gjatë vitit 2025, për 383 vendime gjyqësore, janë paguar gjithsej 45.973.353 denarë”, kanë deklaruar nga Qyteti i Shkupit.

Nga autoritetet lokale theksojnë se shuma totale e kompensimeve nuk mund të ndahet sipas viteve të paraqitjes së padive, për shkak se në dokumentacion nuk specifikohet periudha e saktë e secilës padi.

Ndërkohë, Qyteti i Shkupit përballet aktualisht me 1.389 lëndë aktive të tjera të ngritura nga qytetarë që pretendojnë se janë sulmuar nga qen endacakë, çka përbën një barrë të konsiderueshme financiare dhe juridike për institucionet lokale.

Situata në terren, sipas qytetarëve, mbetet shqetësuese për shkak të numrit të shtuar të qenve endacakë në rrugët e kryeqytetit. Ata kërkojnë që institucionet kompetente të ndërmarrin masa më serioze dhe afatgjata për zgjidhjen e këtij problemi, i cili vazhdon të rrezikojë sigurinë publike.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com