A mundet Maqedonia e Veriut të luajë një lojë të dyfishtë në politikën e jashtme, ashtu siç është parë prej vitesh në rajon? Politika e “uljes në dy karrige” në Serbi ka një traditë të gjatë dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar se në cilën anë dëshiron të jetë. Pyetja është: deri në çfarë mase e ka këtë mundësi Maqedonia e Veriut?

Duke iu përgjigjur kësaj dileme në një intervistë për portalin “Lokallno”, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, thekson se kufiri mes diplomacisë dhe hipokrizisë është shumë i hollë dhe se Maqedonia e Veriut nuk duhet të ndjekë politika të dykuptimta.

“Si në shumë çështje delikate, një fije e hollë e ndan hipokrizinë nga diplomacia. Diplomacia është art. Unë nuk e shoh Maqedoninë në asnjë lojë”, deklaron Taravari.

Ai përsërit se vendi mund të përfitojë nga bashkëpunimi me fuqitë e mëdha globale, por pa u larguar nga orientimi i tij strategjik euroatlantik.

“Ne mund të marrim më të mirën nga superfuqitë, por duhet të mbetemi evropianë dhe proamerikanë. Këto janë vlera për të cilat kemi luftuar me shekuj dhe loja me to është pa dyshim tradhti ndaj vetvetes dhe parimeve tona”, shprehet Taravari.

Duke iu referuar shembullit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Taravari vlerëson se politika e balancimit mes disa palëve zakonisht përfundon keq.

“Pozicioni i tij është një tregues i qartë se sa keq përfundojnë ata që luajnë me dy ose më shumë qëllime njëkohësisht”, përfundon Taravari.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com