Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, me ftesë të homologut të tij hungarez, Shandor Pinter, realizoi nga 14 deri më 16 janar një vizitë bilaterale në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Hungarisë, me qëllim thellimin e bashkëpunimit të sigurisë dhe shkëmbimin e përvojave konkrete dhe praktikave më të mira informon Tetovasot.

Gjatë vizitës, ministri Toshkovski zhvilloi takim bilateral me ministrin Pinter, ku u diskutuan çështje me interes të përbashkët, me theks të veçantë në menaxhimin e flukseve migratore, luftën kundër krimit të organizuar dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë. Ministri Pinter vlerësoi kontributin e rëndësishëm dhe konkret të Maqedonisë në parandalimin e migrimit ilegal, duke theksuar se roli i policisë maqedonase është thelbësor për sigurinë e Evropës.

Vëmendje e posaçme iu kushtua përvojës së Hungarisë në vendosjen dhe zbatimin e sistemeve për detektimin automatik të kundërvajtjeve në trafik, në kuadër të implementimit të sistemit “Qyteti i Sigurt” në Maqedoni. Në këtë drejtim u shkëmbyen mendime për aspektet praktike, përgatitjen institucionale, kornizën ligjore dhe efektet e zbatimit të këtyre sistemeve, me synim shfrytëzimin e praktikave më të mira evropiane transmeton Tetovasot.

Në fushën e luftës kundër tregtisë së drogës, u prezantuan zgjidhjet ligjore dhe institucionale që Hungaria ka zbatuar në sanksionimin penal, duke u ndalur te ndikimi i një qasjeje më të rreptë ndëshkuese në goditjen e rrjeteve të organizuara narkotike dhe forcimin e parandalimit.

Gjatë vizitës u nënshkrua edhe një Deklaratë Bashkëpunimi për zbatimin e trajnimeve për zyrtarët policorë ndërmjet Qendrës për Trajnim të MPB-së dhe Qendrës për Edukim dhe Trajnim Policor të MPB-së së Hungarisë, duke hapur mundësi për shkëmbim afatgjatë dhe praktik të njohurive dhe përvojave. Njëkohësisht, u dërgua ftesë që qendra hungareze t’i bashkëngjitet Shoqatës Rajonale të Qendrave të Trajnimit dhe Akademive Policore të Evropës Juglindore, të formuar me iniciativë të MPB-së së Maqedonisë.

Ministri Toshkovski zhvilloi gjithashtu takim pune me drejtorin e Byrosë Kombëtare Hungareze për Hetime, Aron Jenei, ku u shkëmbyen përvoja lidhur me modelet operative dhe qasjet në luftën kundër formave më serioze të krimit të organizuar. Po ashtu, u realizua takim edhe me drejtorin e Drejtorisë Kombëtare për Menaxhimin e Katastrofave, Zoltan Gora, me fokus sistemin e menaxhimit të krizave, koordinimin ndërinstitucional dhe përvojat praktike në përballimin e fatkeqësive.

“Hungaria është një mik dhe partner i dëshmuar i Maqedonisë, ndërsa kjo vizitë përfaqëson një hap tjetër drejt forcimit të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe ndërtimit të partneriteteve që kontribuojnë në siguri më të madhe, stabilitet dhe perspektivë evropiane”, theksoi ministri Toshkovski.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com