Turqia ka paralajmëruar se çdo ndërhyrje e huaj në Iran do të thellonte krizën jo vetëm brenda vendit, por edhe në të gjithë rajonin, duke theksuar se problemet e brendshme të Teheranit duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe dinamikave të brendshme të shoqërisë iraniane.
Deklarata u bë nga zëdhënësi i Partisë AK dhe zëvendëskryetari i saj, Omer Celik, i cili foli për mediat pas një mbledhjeje të drejtuar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan në Ankara.
Celik u shpreh se Ankaraja nuk dëshiron të shohë kaos në Iran, edhe pse pranoi se ekzistojnë probleme reale brenda shoqërisë dhe institucioneve shtetërore iraniane.
“Ne nuk dëshirojmë që në vendin fqinj, Iranin, të shfaqet kaos,” deklaroi Celik, duke shtuar se, ashtu siç ka theksuar edhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian, zgjidhja e problemeve duhet të vijë përmes vullnetit kombëtar dhe proceseve të brendshme të shoqërisë iraniane.
Duke folur për situatën e tensionuar në rajon, Celik paralajmëroi se ndërhyrjet e jashtme do të sillnin pasoja shumë më të rënda, duke theksuar veçanërisht se ndërhyrjet e nxitura nga Izraeli mund të çojnë në kriza më të mëdha dhe destabilizim të thellë rajonal.
Ai nënvizoi se situata duhet të trajtohet përmes negociatave, dialogut dhe rritjes së komunikimit, ndërsa deklaratat e fundit të zyrtarëve izraelitë ndaj Iranit, sipas tij, rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej tensionet.
“Kjo qasje agresive do të krijonte trazira edhe më të mëdha në të gjithë rajonin dhe duhet refuzuar kategorikisht,” tha Celik.
Deklaratat vijnë në një kohë kur Irani po përballet me valën më të madhe të protestave që nga viti 2022, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA mund të ndërhyjë nëse përdoret forcë kundër protestuesve, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Turqia ka përsëritur kështu qëndrimin e saj se stabiliteti rajonal nuk mund të arrihet përmes presionit apo ndërhyrjeve të jashtme, por vetëm përmes zgjidhjeve politike të brendshme dhe dialogut.