Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se ditën e sotme do të nis numërimin e mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora.
Konkretisht, do të numërohen fletëvotimet nga votimi përmes postës, të cilat janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, u shpreh se numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë, ndërsa shtoi se ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare.
Ndaj për këtë arsye, ende nuk dihet se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës.
“Nga votimi me postë, siç e kemi treguar më herët, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dijmë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës. Tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026”, thotë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas tij, deri më tani, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime, nga dy kutitë postare në Berlin dhe Bernë.
“Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”, tha Elezi.
Në fund ai tha se nga votimi jashtë Kosovës, kanë votuar nga 29 përfaqësi diplomatike 16,165 persona.