5 ton marihuanë kontrabandohen nga një fabrikë mjekësore e Maqedonisë drejt Serbisë, organizatori në arrati
Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ka njoftuar se pesë të dyshuarit në rastin e pesë tonëve marihuanë, të gjetur të enjten në fshatin Konjuh, afër Krushevcit, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore për t’u mbrojtur me heshtje gjatë seancës gjyqësore.
Prokurori publik për krim të organizuar në Serbi ka lëshuar urdhër për zhvillimin e hetimeve ndaj të dyshuarve: Aleksandar Mijajloviq, Nebojsha Spasojeviq, Rade Spasojeviq, Ivan Dragnjiq dhe Urosh Mladenovski, për veprën penale prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve.
Pas marrjes në pyetje të të dyshuarve, të cilët shfrytëzuan të drejtën e tyre ligjore dhe u mbrojtën me heshtje, prokurori publik për krim të organizuar i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake të Departamentit Special për Krim të Organizuar në Gjykatën e Lartë në Beograd që të gjithë të dyshuarve t’u caktohet masa e paraburgimit.
Propozimi për caktimin e paraburgimit është bërë duke pasur parasysh sekuestrimin rekord të narkotikëve – marihuanë në sasi prej 5.002.079,18 gramë. Duke qenë se i dyshuari Aleksandar Mijajloviq, i cili konsiderohet organizatori i këtij grupi të organizuar kriminal, ndodhet në arrati, gjyqtarit të procedurës paraprake i është dorëzuar edhe propozim për lëshimin e fletarrestimit, përfshirë edhe fletarrest ndërkombëtar, ndaj këtij të dyshuari.
Ky grup i organizuar kriminal ka vepruar në nivel ndërkombëtar, kështu që nga fillimi i janarit 2026 deri më 29 janar 2026, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka siguruar narkotik – marihuanë në sasi prej 5.002.079,18 gramë. Sipas planit të organizatorit, i dyshuari Ivan Dragnjiq e ka transportuar drogën përtej kufirit deri në depon e familjes Spasojeviq, prej nga i dyshuari Urosh Mladenovski e ka marrë atë për shitje të mëtejshme.
Veçanërisht indikative është se i dyshuari Ivan Dragnjiq është bashkëpronar i kompanisë “ALFAFARM” në Shkup, e cila është e regjistruar për prodhimin dhe përpunimin e kanabisit mjekësor, njoftojnë mediat serbe.
Duke pasur parasysh se një pjesë e veprimeve kriminale tregojnë për karakter ndërkombëtar të veprës penale, veçanërisht në lidhje me furnizimin me drogë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, rrjedha e mëtejshme e hetimeve do të zbardhë të gjitha rrethanat e këtij rasti penal, do të identifikojë të gjithë pjesëmarrësit, si dhe do të përcaktojë origjinën e narkotikëve.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, pas mbërritjes në vendin e sekuestrimit, theksoi se kjo është sekuestrimi më i madh i drogës në Serbi deri më tani.
Ky aksion konsiderohet si sekuestrimi më i madh i drogës në historinë e policisë serbe. Sekuestrimi i mëparshëm më i madh ishte 1.960 kilogramë, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar janë sekuestruar gjithsej 6,1 ton narkotikë.