Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka votuar ndryshimet ligjore që mundësojnë nënshkrimin e aneksit të ri për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, dokument ky që parashikon 186 milionë euro shtesë dhe një afat të ri për përfundimin e punimeve deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Kjo pjesë rrugore prej 57 kilometrave, e cila ka filluar të ndërtohet para 12 viteve, ka kërkuar financim shtesë për shkak të punimeve që nuk ishin parashikuar në projektin fillestar.

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, sqaroi se mjetet do të përdoren për stabilizimin e rrëshqitjeve të dherave përmes ndërtimit të 14 galerive, vendosjen e rrethojave mbrojtëse sipas standardeve evropiane dhe ndërtimin e një qendre kontrolli për tunelet. Aneksi i nënshkruar mes Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore dhe kompanisë kineze “Sinohydro” përfshin gjithashtu ndërtimin e rrugëve hyrëse për lidhjen e fshatrave Arbinovë, Izdeglavje, Novo Sellë, Botun, Mesheishtë, Trebenishtë dhe Podmolle me qytetin e Ohrit.

Deri në fund të vitit të kaluar për këtë projekt janë shpenzuar rreth 558 milionë euro, ndërsa deri më tani në qarkullim janë lëshuar vetëm 40 kilometra të autostradës. Me këtë shtyrje të re, kontraktori merr përsipër detyrimin për të përfunduar plotësisht këtë aks rrugor që ka mbetur peng i ndërtimeve për më shumë se një dekadë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume