Medai Shaholli

Menjëherë pas kapjes së kreut të Komunës së Strugës nga ana e VMRO-së në zgjedhjet komunale të fundit që lamë pas (falë ndihmës së pakursyer të renegatit Merko dhe mbështetësve të listës së tij), ku me një kryetar kukull të përzgjedhur nga despoti Micko si Mendi, ka filluar të ndihet vërtet “ndryshimi” në administratën komunale, ku gjuha shqipe po shmanget qëllimisht nga përdorimi zyrtar nga administratorët e rinj të motivuar politikisht, duke vendosur supremacinë maqedonase në ato komuna me shumicë shqiptare, në të cilat ata tashmë kanë në krye të tyre sejmenët e përbetuar vredistë dhe jo vetëm.

Kështu, “ndryshimi që erdhi papritur” është një ogur i zi për gjuhën shqipe, e cila me ardhjen e pushtetarëve të rinj filloi të injorohet dhe të përbuzet, duke mos i njohur kërkesat dhe ankesat në shqip drejtuar ndërmarrjeve komunale, me arsyetimin banal se dokumentet e adresuara nuk janë shkruar edhe në maqedonisht.

Këtë radhë denigrimi dhe përbuzja ndaj gjuhës shqipe zbriti në Strugë!

Prova e gjallë e denigrimit dhe e refuzimit të gjuhës shqipe vjen nga ana e ndërmarrjes publike për Ujësjellës dhe Kanalizim të Komunës së Strugës, si udhëzim i ri i pushtetarëve të rinj komunalë në marrëdhënie me publikun, siç është paraqitur në ilustrimin e mëposhtëm.

Pikërisht, rasti flagrant i denigrimit të gjuhës shqipe ka ndodhur me ndërmarrjen komunale, siç është kompania për Ujësjellës dhe Kanalizim, ku kjo ndërmarrje publike ia kthen përgjigjen kërkesës së parashtruar këto ditë nga ana e këshilltares së Këshillit Komunal, znj. Premtime Zylali-Delijaj, mbi problemin e ndotjes së ujit, duke iu përgjigjur vetëm në maqedonisht, me arsyetimin se kërkesa e saj na qenka shkruar ekskluzivisht në shqip dhe jo edhe në maqedonisht.

Kësisoj, ndryshimi i premtuar përmes megafonëve të VREDI-t, mes entuziazmit dhe zhurmave shurdhuese gjatë fushatave zgjedhore, nuk vonoi shumë; ai erdhi, por jo për së mbari, por së prapthi, duke injoruar dhe shmangur gjuhën shqipe nga komunikimi zyrtar në nivel komunal në një komunë me shumicë shqiptare siç është Struga.

Ky është pra ndryshimi që u premtoi struganëve VREDI dhe sejmeni i Mickos, Mendi i “pavarur”, i cili, veç shumë leverdive për qytetarët, premtoi luftë pa kompromis me korrupsionin në komunën tonë, duke u zotuar për barazi dhe jo favorizime në baza etnike. Për një luftë të ashpër kundër baronëve të krimit dhe mafies urbane, ku paradoksalisht kjo mafie kriminale e “Baronit të Strugës” e solli në pushtet piunin e Mickos, përmes pazareve të ndyra politike.

Kësisoj, me ndryshimin e shumëpërfolur si ofertë vredistësh për më shumë dinjitet dhe barazi për qytetarët, ajo pseudofertë nuk erdhi kurrë për shqiptarët, por i shërbeu një klani të vogël dhe favoreve të tyre në krye të komunës.

Frutat e atij “revolucioni” të ndryshimit nuk i shijuan qytetarët e Strugës, por klani i ri sllavo-shqiptar që ka kapur kreun e komunës si peng i pazareve të pista politike, duke e shmangur nga përdorimi zyrtar gjuhën shqipe në administratën komunale.

Dy muaj pas zgjedhjeve komunale, në vend të ndryshimit, komiteti i Mickos me sejmenët e tyre në krye të komunës, sollën “sihariqin” e madh për favorizimin e maqedonishtes si gjuhë e supremacisë së shtetit dhe e pushtetit, duke e shmangur përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar me publikun.

Ky është pushteti që përmes “shqipfolësve” përdhos dhe denigron identitetin tonë kombëtar dhe gjuhësor në komunën e Strugës dhe jo vetëm, ashtu siç vepruan ata ndaj shqiptarëve për gjysmë shekulli përmes dhunës dhe persekutimit gjatë kohës së sistemit titist.

Ky është “peshqeshi” që morën struganët nga komitetët dhe vredistët me udhëheqjen e re komunale!

Kështu që edhe këtë radhë u përsërit historia e gënjeshtrës dhe premtimeve pa mbulesë ndaj qytetarëve shqiptarë të Strugës nga pakorët e pushtetit, ku shqiptarët, edhe pas asaj maskarade të ndryshimit që nuk u bë kurrë realitet, përsëri vazhdojnë ta hanë sapunin për djathë.

 

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume