Objektet e ndërtuara pa leje dhe në tokë shtetërore, apo muret e vendosura pa leje paraprake, e që kanë pësuar dëme gjatë vërshimeve të fundit nuk do të jenë pjesë e planit për kompensim të dëmit nga ana e Komunës së Tetovës.

“Pika më kritike paraqitet rruga e banjës në qytet, dhe të tjerat janë në parcela dhe objekte shtëpi private, por fatkeqësisht një pjesë e tyre janë të ndërtuara pa leje dhe vështirë e ka edhe komuna edhe Qeveria për të intervenuar”, u shpreh Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

“Shkaku se rruga e Banjës paraqet rrezik për qytetarët, më të filluar të reshurat e shiut, ne kemi formuar një ekip apostafat për këtë rrugë që kujdeset çdo ditë që të pastroj rrugën që e njëjta të jetë e kalueshme”, tha Samet Bislimi, drejtor i NPK “Tetova”.

Kreu i Komunës Bilall Kasami kërkoi nga qytetarët që të mos ndërtojnë në tokë shtetërore dhe pa leje apo matje adekuate, pasi do rrezikojnë familjet e tyre dhe të fqinjëve

“Qytetarët duhet të vetëdijesohen se ndoshta iu duket më e levërdishme të ndërtojnë në pronë shtetërore nëpër kodrinat e qytetit, por këtu komuna dhe shteti e kanë të pamundur të intervenojnë me investime, sepse për të investuar ne duhet pasur plan dhe projekt, siç kërkon Ligji dhe kushtet e ndërtimit”, theksoi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

Kasami paralajmëroi se me përmirësimin e motit, në rrugën e Banjës do të intervenohet me heqjen e dheut dhe gurëve të mëdhenj, në disa pika ku rrëshqitjet janë të shpeshta.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume