Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me faktin që SHBA doli me një politikë të re për tarifat doganore ndaj Maqedonisë dhe çfarë do të thotë kjo për ekonominë, deklaroi:
“Në kuadër të mandatit të kësaj Qeverie, gjatë këtyre 20 muajve, jo të plotë, arritëm Marrëveshje për miqësi strategjike me Britaninë e Madhe. Përsëri opozita paraqitet me teza të rreme, se gjoja do të pranonim migrantë për para dhe kjo zgjati me muaj. Ja, doli ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, dha intervistë dhe i demantoi. Nuk ka demant më të madh se ky. Por, Marrëveshja për miqësi strategjike nuk është vetëm marrëveshje, por edhe një mesazh. Dhe atë mesazh ne mund ta shohim edhe në ekonominë tonë, madje edhe në kushtet me të cilat u lëshua Euroobligacioni, sepse ky është një mesazh i fortë. Ky është një dokument strategjik.
Dokumenti i dytë është dokumenti me të cilin ne, të parët në rajon, kemi politikë të përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes të harmonizuar me Bashkimin Evropian.
Puna e tretë e rëndësishme diplomatike që na vendosi në shoqërinë e demokracive funksionale, demokraci të pjekura ku sundon e drejta dhe ku respektohen të drejtat e njeriut, është ndalimi i misionit të post monitoringut të Këshillit të Evropës. Ne jemi i vetmi vend në rajon. Të gjithë që janë pjesë e grupit të Ballkanit Perëndimor 6 ose janë në monitorim ose në post monitorim. Dhe kjo marrëveshje që potencialisht do ta nënshkruajmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të parametrave që janë të përfshirë në deklaratën e përbashkët, do të mundësojë që kompanitë maqedonase, pra produktet nga Maqedonia, rreth 62 deri 64 numra doganorë, të gjenden në tregun amerikan me tarifa preferenciale nga 0 deri në 6,5%.
Vlen të theksohet se në vitin 2025, shkëmbimi tregtar bilateral tejkalon gjysmë miliardi dollarë. Mendoj se po afrohemi tek 600 milionë dollarë, ku kemi një suficit të lehtë si shtet. Maqedonia ka më shumë eksport sesa import në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe pres që përmes kësaj marrëveshjeje, bashkëpunimi dhe tregtia bilaterale të rriten. Por përsëri do të them, vetë marrëveshja në vetvete është e vetmja jashtë Bashkimit Evropian me tarifa të njëjta siç ka Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar. Por mesazhi është i fortë. Mesazhi është i fortë, konkretisht mesazh nga Përfaqësuesi i Lartë Tregtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili është në nivel Sekretari, zoti Greer, se ata po dërgojnë një mesazh se cili është partneri i tyre më i fortë në rajon, e kjo është Maqedonia jonë. Kjo është shumë e rëndësishme si për investitorët, ashtu edhe për gjendjen ekonomike në vend.”