Për më shumë se 15 vjet, përmes prokurimeve të pajisjeve mjekësore, është endur një histori korruptive, ku shumë funksionarë kanë përfunduar me “duart në mjaltë”. Mbi 200 pajisje mjekësore, me vlerë mbi 100 milionë euro, po mbledhin pluhur dhe po degradojnë në bodrume, ndërkohë që pacientët vdesin nëpër korridoret e spitaleve duke pritur termine për incizime apo rezultatet e tyre.

Para disa muajsh, me të dhëna shqetësuese për këtë temë doli edhe Enti Shtetëror i Revizionit, i cili analizoi vetëm një periudhë trevjeçare të prokurimeve të pajisjeve, nga viti 2021 deri në vitin 2023. Gjatë kësaj periudhe, për nevojat e shëndetësisë publike janë blerë pajisje mjekësore në vlerë totale prej 16.2 milionë euro, të financuara nga buxheti, kredi dhe donacione. Për shkak të mungesës së kushteve kadrovike dhe hapësinore, pajisje në vlerë prej 13 milionë euro ende nuk janë vënë në përdorim, ndërsa pajisje me vlerë 5.5 milionë euro nuk shfrytëzohen në kapacitet të plotë.

Në raportin e fundit të Entit Shtetëror të Revizionit është analizuar edhe prokurimi i akseleratorëve linearë, përkatësisht aparateve për terapi me rrezatim, të cilat përdoren për trajtimin e pacientëve onkologjikë.

Sipas raportit, nga gjithsej 9 akseleratorë linearë me vlerë 21.8 milionë euro për radioterapi, pesë prej tyre nuk janë vënë fare në përdorim. Dy ndodhen në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji, dy në spitalet e Shtipit dhe Manastirit (Bitolës), si dhe një në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, ndonëse tre prej tyre janë instaluar që para disa vitesh.

Edhe pse janë blerë akseleratorë edhe për spitale të tjera shtetërore, gjatë periudhës 2021–2023 shërbimet e radioterapisë janë ofruar vetëm nga Klinika për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup, ku trajtohen mbi 2.300 pacientë në vit, përkatësisht realizohen mesatarisht rreth 200 trajtime me rrezatim në ditë.

Problemi me aparatet për terapi me rrezatim ka filluar që në vitin 2012. Përmes Ministrisë përkatëse, e udhëhequr atëherë nga Nikolla Todorov, u realizuan disa tenderë për blerjen e akseleratorëve, ku vetëm një aparat kushton mbi dy milionë euro. Për blerjen dhe instalimin e një pajisjeje të tillë nevojiten rreth 3 milionë euro, pasi kërkohet ndërtimi i një objekti të posaçëm (bunker) ku vendoset aparati.

Kështu, për plot 14 vjet, një pjesë e akseleratorëve nuk janë instaluar dhe po mbeten në depo, ndërsa edhe ata që janë instaluar, nuk funksionojnë.

Situata nuk ishte ndryshe as në kohën kur ministër i Shëndetësisë ishte Venko Filipçe. Para më shumë se katër vitesh, ai promovoi akseleratorin në spitalin e qytetit “8 Shtatori”, i cili ende nuk është vënë në funksion. Po ashtu, me vite paralajmërohet hapja e spitalit ditor onkologjik në ish-Spitalin Ushtarak, por as ai nuk ka filluar të funksionojë. Si rezultat, rreth 90.000 pacientë në vit vazhdojnë të përqendrohen në Onkologjinë e Shkupit.

Ndërkohë, aparatet për terapi me rrezatim në Shtip dhe Manastir nuk funksionojnë për më shumë se një dekadë. Madje, Spitali Klinik i Shtipit nuk ka marrë kurrë një aparat të tillë.

Në vitin 2012, ish-ministri Nikolla Todorov deklaroi në një konferencë për shtyp se Ministria kishte shpallur tenderë për blerjen e dy akseleratorëve të rinj – një për spitalin në Shtip dhe një për atë në Manastir, të cilët duhej të dorëzoheshin brenda 14 muajve nga nënshkrimi i kontratës.

Këtu shpërthen skandali: tenderët janë shpallur dhe kontratat janë nënshkruar, por aparatet nuk janë dorëzuar, respektivisht as sot e kësaj dite nuk janë instaluar në të dy spitalet. Problemi bëhet edhe më i madh duke pasur parasysh se nuk bëhet fjalë për shuma të vogla, por për miliona euro.

Sipas të dhënave të Byrosë për Prokurime Publike, tenderi i parë është shpallur saktësisht para 14 vitesh, në vitin 2012. Kontrata është nënshkruar më 21 dhjetor të atij viti me kompaninë holandeze “Simed International BV”, për furnizimin e dy akseleratorëve linearë për spitalet klinike në Manastir dhe Shtip, me vlerë marramendëse prej 2.8 milionë euro.

Spitali Klinik i Shtipit është qendër rajonale për lindjen e vendit dhe shërben mbi 200.000 qytetarë, të cilët për trajtim me rrezatim duhet të udhëtojnë drejt Klinikës Onkologjike në Shkup. Aty, akseleratori as nuk është parë ndonjëherë, e lëre më të instalohet apo të vihet në përdorim.

Skandali thellohet edhe më shumë kur dihet se për aparatin e rrezatimit në Shtip, i cili nuk ekziston, në Byronë e Prokurimeve Publike figurojnë disa tenderë për ndërtimin e bunkerit ku do të duhej të vendosej pajisja.

Tenderi i parë është shpallur më 9 shtator 2013, me vlerë rreth 870.000 euro. Në vitin 2015 shpallet një tjetër tender për furnizim dhe montim të dyerve të bunkerit, me vlerë 143.902 euro.

Si të mos mjaftonin këto, më 6 nëntor 2016 shpallet sërish tender për ndërtimin e bunkerit në Spitalin Klinik të Shtipit, ku janë shpenzuar edhe 341.367 euro të tjera.

Dy vite më pas, në vitin 2017, Ministria e Shëndetësisë shpall edhe një tender tjetër për instalimin e akseleratorëve linearë, me vlerë 740.621 euro. Këto janë vetëm disa nga shumat marramendëse të shpenzuara për një aparat që nuk ekziston dhe për një bunker që po ashtu nuk ekziston.

Prandaj mbetet e paqartë sa herë janë ndërtuar bunkerët, nëse janë ndërtuar fare, dhe pse edhe pas 13 vitesh pacientët ende nuk kanë qasje në terapi me rrezatim.

Probleme të ngjashme ka edhe Spitali Klinik i Manastirit, ku pavarësisht tenderëve të shumtë, akseleratori nuk funksionon dhe pacientët më të rëndë nuk marrin trajtim adekuat.

Një problem shtesë për instalimin e pajisjeve mjekësore është edhe nevoja për mjete të mëdha financiare për ndërtimin e hapësirave të përshtatshme, bunkerëve dhe renovimin e ambienteve ku do të vendosej pajisja.

Po ashtu, mungesa e kuadrit të trajnuar, fondeve dhe planeve për mirëmbajtjen afatgjatë të pajisjeve mjekësore paraqet një pengesë serioze për funksionalizimin e tyre.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com