Shoqata e Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut i ka dërguar një reagim urgjent Kuvendit, në prag të seancës ku pritet të miratohen me procedurë të shkurtuar ndryshimet ligjore që prekin pagat e funksionarëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve. Përmes kësaj shkrese, prokurorët shprehin shqetësimin e tyre të thellë për përpjekjen e vazhdueshme të shtetit për të ulur koeficientët e pagave, duke rikujtuar se sipas ligjit aktual, paga e tyre është e mbrojtur dhe nuk mund të ulet me vendim të asnjë organi shtetëror, përveç në raste të përgjegjësisë disiplinore.

Ata theksojnë se paga është burimi i vetëm i të ardhurave për ta, pasi profesioni i tyre është i papajtueshëm me çdo veprimtari tjetër, ndërkohë që shifrat aktuale prej 90.000 deri në 130.000 denarë i bëjnë ata prokurorët më pak të paguar në të gjithë rajonin. Për krahasim, Shoqata vuri në dukje se në Serbi, Mal të Zi, Shqipëri dhe Bullgari, pagat e kolegëve të tyre arrijnë deri në 4.700 euro, duke përfshirë edhe bonuse vjetore.

Në fund të reagimit, prokurorët paralajmërojnë se ndryshimet e reja ligjore mund të krijojnë kaos juridic, veçanërisht pasi Gjykata Kushtetuese ka nisur tashmë një procedurë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së ndryshimeve të ngjashme të bëra në fund të vitit 2025.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume