Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, ka deklaruar se Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale, përkundrazi, qëllimi i saj strategjik është rritja e vazhdueshme e të gjitha pagave dhe përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve, por vetëm përmes zgjidhjeve sistematike, të dakorduara dhe ekonomikisht të qëndrueshme.

Gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Qëndrimi i Rajonit” në televizionin rajonal Newsmax Balkans, Risteski theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj dialogut social trepalësh në kuadër të Këshillit Ekonomik-Social (KES) dhe se është e hapur për diskutim transparent për të gjitha çështjet.

“Sipas zgjidhjes sistematike që është miratuar në kuadër të KES-it dhe me mbështetjen e Lidhjes së Sindikatave, paga minimale rregullohet sipas një formule të miratuar disa vite më parë. Atëkohë, kjo zgjidhje u paraqit si një fitore e madhe, duke garantuar rritje të pagës minimale pa ndërhyrje administrative apo politike. Sot, i njëjti subjekt ka ndryshuar plotësisht narrativën, duke kërkuar rritje prej 50 për qind jashtë kësaj formule ligjore, pavarësisht stabilizimit të ekonomisë dhe inflacionit prej 4 për qind. Këto kërkesa, pa marrë parasysh produktivitetin e punës si tregues kyç ekonomik, janë pa logjikë ekonomike,” deklaroi Risteski.

Ai shtoi se krahasimet e thjeshta me shtetet e tjera mund të krijojnë një pasqyrë të shtrembëruar, pasi çdo ekonomi ka strukturën dhe veçoritë e saj.

“Ekonomia e Maqedonisë së Veriut karakterizohet nga një strukturë specifike, ku mbi 90 për qind e kompanive janë mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe zejtarë dhe tregtarë individualë, të cilët punësojnë pjesën më të madhe të fuqisë punëtore dhe do të preken drejtpërdrejt nga këto vendime. Po ashtu, sektorët intensivë të punës, si industria e tekstilit dhe ajo e lëkurës, ku paga minimale është më e përhapur, mund të rrezikohen seriozisht nga rritje të pamenduara,” theksoi ai.

Risteski vlerësoi se zgjidhja e çështjeve ekonomike kërkon një qasje serioze, të bazuar në analiza dhe të dhëna konkrete, me qëllim arritjen e zgjidhjeve sistematike përmes marrëveshjes në kuadër të Këshillit Ekonomik-Social.

“Si Qeveri, mbetemi të përkushtuar në zbatimin e politikave që forcojnë ekonominë dhe rrisin standardin jetësor, por kjo nuk arrihet përmes vendimeve ad-hok apo ndërhyrjeve administrativo-politike. Paga minimale duhet të rritet në mënyrë sistematike, të qëndrueshme dhe në përputhje me realitetet ekonomike,” përfundoi zëvendësministri Marjan Risteski.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com