Sindikatat nisin bllokadat: Më 10 shkurt rrethohet Kuvendi, kërkohet rritja e pagës minimale në 600 euro
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, informoi sot se të martën e ardhshme sindikatat do të bllokojnë deputetët, ndërsa më pas do të pasojnë aktivitete të drejtuara ndaj punëdhënësve – Odës Ekonomike, Lidhjes së Odave Ekonomike dhe Organizatës së Punëdhënësve.
“10 shkurt – Kuvendi, 12 shkurt – pronarët (OE, OPM, LOM), 17 shkurt – Qeveria”, thuhet në njoftimin e shkurtër të kryesindikalistit të vendit.
Nga LSM-ja kujtojnë se dje ka skaduar afati që u ishte dhënë institucioneve për të bërë ndryshime urgjente në Ligjin për pagën minimale, me të cilat paga minimale do të rritej në 600 euro, ndërsa të gjitha pagat e tjera për të paktën 6.000 denarë. Duke qenë se, siç thonë ata, nuk ka pasur asnjë përgjigje konkrete, sindikatat kanë vendosur të intensifikojnë presionet.
”Sipas të gjitha gjasave, javën tjetër ata (deputetët) do të duhet të vijnë me autobus ose në këmbë, ashtu siç vijnë shumica e punëtorëve. Do t’i presim për t’i përshëndetur dhe për t’i kujtuar se janë aty për ne dhe se duhet të votojnë. Ky do të jetë hapi i radhës, ndërsa detajet do t’i shpallim të hënën. Atë ditë nuk do të mund të arkëtojnë shpenzime rruge. Do t’i godasim në xhep,” tha javën e kaluar kryetari i LSM-së duke iu referuar deputetëve.