Seancë komemorative për përvjetorin e tragjedisë në Koçan, Gashi ju drejtohet prindërve të viktimave
E nderuar Presidente, i nderuar Kryeministër, të nderuar kolegë deputetë, i nderuar kabinet
qeveritar, kor diplomatik, përfaqësues të mediave, të dashur qytetarë,
Shumë të nderuar dhe të respektuar familjarë, miq dhe të afërm të viktimave të tragjedisë
së Koçanit,
Disa net përfundojnë si rutinë, disa net përfundojnë duke lënë kujtime, por janë disa net që
nuk përfundojnë kurrë. Ka agime që zgjojnë shpresa e lindin forca të reja, por ka edhe
mëngjese të zymta që e shuajnë shpresën dhe zgjojnë vetëm dhimbje. Një mëngjes i tillë
ishte 16 marsi i vitit të kaluar, që agoi pas natës tragjike në Koçan. Një natë që filloi me
argëtim, me të rinj që festonin, me miqësi dhe buzëqeshje, përfundoi me vaj, plagë dhe
dhimbje, që depërtoi thellë në zemrën e një shteti të tërë. Atë natë, Koçani dhe Maqedonia
nuk i humbi vetëm bijtë e bijat e veta, por e humbi edhe një pjesë të së ardhmes së saj; një
copë e pakthyeshme e shpirtit tonë atë natë u dogj në Koçani.
Ajo natë, bashkë me jetën e 63 të rinjve, mori me vete edhe ëndrra dhe plane që sapo
kishin filluar të ndërtoheshin, histori që sapo kishin filluar të shkruhen dhe të nesërmen e
shumë familjeve të vendit tonë.
Sot po qëndroj para jush me ndjenjë të thellë pikëllimi dhe barrë të rëndë përgjegjësie.
Sepse, të flasësh për një tragjedi si kjo, është ndoshta një nga detyrat më të vështira që
mund t’i bie për hise një institucioni apo një njeriu. Edhe pas një viti, fjalët mbeten të
vështira për t’u zgjedhur, por edhe më të vështira për t’u thënë. Janë disa momente kur
edhe po t’i përzgjedhësh fjalët, ato gjithnjë të duken të mangëta për ta shprehur atë që
njeriu e ndjen dhe e përjeton. I tillë është edhe ky detyrim për mua. E megjithëse fjala
publike është detyrë, ajo asnjëherë nuk ka qenë kaq e rëndë. Aq më tepër kur je i
vetëdijshëm se, në një rast si ky, asnjë fjali nuk mjafton për ta mbushur boshllëkun dhe për
ta ngushëlluar dhimbjen të cilën kjo tragjedi e ka lënë tek familjet dhe ndërgjegjja e kësaj
shoqërie.
“Ka fjalë që qajnë dhe lot që flasin” thoshte poeti. Lotët e nënave, prindërve, familjarëve
dhe qytetarëve të tjerë për Koçanin kanë folur më zëshëm seç mund të ketë deklaruar çdo
politikan, e madje, edhe çdo institucioni. Prandaj kjo seancë komemorative nuk ka të bëjë
me formalitetin institucional, por është një përkulje e përbashkët e gjithë shtetit para jetëve
që u shuan dhe para familjeve që vazhdojnë ta mbajnë peshën e kësaj tragjedie.
Sot, pas një viti, jemi mbledhur në këtë sallë për të kujtuar, për të reflektuar dhe për t’i
nderuar me respekt emrat që u shuan. Jemi mbledhur si rrallëherë, jo si pozitë e opozitë,
jo si përfaqësues të partive apo institucioneve, por si një shoqëri që u lëndua rëndë. Jemi
këtu si njerëz që e bashkëndjejnë dhimbjen e këtyre familjarëve, për t’u dhënë mesazh se
në këtë dhimbje nuk janë vetëm.
Vala e kësaj dhimbjeje na përfshiu të gjithëve. Ajo solli me vete pikëllim, tronditje,
solidaritet, por edhe tensione. Në ato ditë të rënda zie kombëtare, në koordinim me të gjitha
grupet parlamentare, u mor një vendim i vështirë – që Kuvendi t’i pezullojë të gjitha
aktivitetet publike për një periudhë të caktuar. Ky vendim u mor nga bindja se në momentet
më të ndjeshme, kur dhimbja ishte ende e freskët dhe emocionet e qytetarëve ishin të
mëdha, maturia institucionale ishte e vetmja formë e sinqertë e respektit. Në politikë, por
edhe në çdo profesion tjetër, kur ke përgjegjësi institucionale, mund të bëhen gabime, por
vlerësoj se e rëndësishme është që gabimi mos të shndërrohet në mëkat. Vendimin që
dikush e cilësoi si gabim ishte përpjekje humane që të mos lejojmë që dhimbja e qytetarëve
të shndërrohej në skenë politike ose në një debat që do ta rëndonte edhe më shumë
plagën e hapur të shoqërisë. Sepse ai do ishte mëkati i vërtetë.
Megjithatë, unë nuk jam në këtë foltore për të shfajësuar askënd, as për të demantuar zëra
që tentuan pa të drejtë ta përdorin tragjedinë për përfitime të tjera e për të hedhur hije mbi
institucionet. Jam këtu për të reflektuar se tragjeditë nuk duhet të jenë kurrë terren për
ndarje. Ato duhet të jenë moment solidariteti, humanizmi dhe uniteti.
Sepse, të nderuar të pranishëm, në ato ditë e pamë që askush nuk përfiton nga përçarja.
Në momentet më të errëta të vendit e pamë njëkohësisht edhe anën më të ndritur të
shoqërisë sonë. Pamë të shkëlqejë forca e humanizmit, ngushëllimi që jepte solidariteti dhe
mbështetja e sinqertë.
Në Kuvend, gjatë ditëve të zisë u hap libri i ngushëllimeve. Qindra qytetarë erdhën këtu në
heshtje për të shkruar disa fjalë për ata që nuk janë më. Nëse lexoni në ato rreshta të
shkruara me dorë, aty nuk ka fjalë të mëdha politike. Ka vetëm fjalë të sinqerta njerëzore –
dhimbje, mall dhe dashuri për jetët që u shuan shumë herët.
Shembulli njerëzor e zbuti sado pak trishtimin e madh të vendit. Pamë mjekë dhe infermierë
që punuan ditë e natë për të shpëtuar jetë. Pamë zjarrfikës dhe policë që reaguan me
guxim dhe përkushtim. E pamë Kryqin e Kuq, së bashku me qytetarë dhe vullnetarë të
tjerë, që dhuruan gjak dhe ofruan ndihmë të menjëhershme për familjet, si dhe njerëz që u
mobilizuan pa kursim. Ky solidaritet nuk pati as ngjyra politike, as etnike dhe as religjioze.
Ai nuk erdhi vetëm mes nesh, por edhe shumë shtete mike u përgjigjën në mënyrë
ekspeditive dhe i hapën dyert për të plagosurit tanë. Prandaj sot, në emër të Kuvendit të
Republikës së Maqedonisë së Veriut, në emrin tim personal dhe në emër të të gjithë
qytetarëve të vendit, shpreh mirënjohjen më të thellë për këtë mbështetje, përkushtim dhe
dhembshuri të shfaqur nga të gjithë. Janë pikërisht këto vepra ato që nuk harrohen.
Të nderuar deputetë dhe përfaqësues të institucioneve,
E thashë në fillim që kjo seancë është thirrur për të kujtuar, por edhe për të reflektuar, ndaj
mesazhi im është për të gjithë. Tragjeditë si kjo na tregojnë se përgjegjësia e institucioneve
është më e madhe seç e vlerësojmë dhe se drejtësia është më e rëndësishme seç e
imagjinojmë. Prandaj është thelbësore që institucionet kompetente – Prokuroria Publike,
gjykatat, Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjitha organet hetimore, të punojnë në
këtë proces me profesionalizëm, pavarësi dhe transparencë të plotë. Drejtësia nuk duhet të
jetë as e shpejtë për efekt politik, por as e vonuar. Vetëm drejtësia dhe e vërteta mund të
sjellë qetësi për familjet dhe për shoqërinë. Unë i inkurajoj institucionet e drejtësisë që ta
kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe kjo lëndë t’i adresojë saktë gabimet dhe
fajtorët e kësaj tragjedie. Kjo është mënyra e vetme për ta qetësuar dhimbjen e atyre që i
humbën të dashurit e tyre, por edhe leksion se zbatimi i ligjit në shtetin tonë është detyrim
nga i cili askush nuk amnistohet.
Të dashur qytetarë,
Në mesin e atyre që i humbëm pati artistë që ndriçuan për vite me radhë skenën, pati yje të
futbollit që po ngriheshin gradualisht dhe kushedi sa profesionistë të fushave të ndryshme
që po prisnin të na bënin krenarë.
Atë natë ata po i këndonin jetës, shpresave, dashurisë dhe së nesërmes. Kënga e
dikurshme e grupit DNK “Nëse nesër nuk jam më”, që deri atë natë përfaqësonte vetëm një
refren, sot merr tjetër kuptim për secilin që e dëgjon, sepse për disa prej atyre që këndonin
e nesërmja nuk erdhi më, ndërsa për të tjerët e nesërmja erdhi, por pa ata që e këndonin.
Shumë të respektuara familje, sigurisht gjatë kësaj kohe shumëkush ju ka ngushëlluar duke
ju thënë se koha i shëron plagët. Por, unë jam i bindur që asnjë ditë që kalon nuk e zbeh
mallin tuaj dhe mungesa për të dashurit tuaj është gjithnjë aty, herë e shpërfaqur si dhimbje
e herë si kujtim i bukur për më të dashurit tuaj, që gjithmonë do të jenë aty. Koha ndoshta
do të na forcojë, por kurrë nuk do të na bëjë që t’i harrojmë këto plagë. Kujtimi i viktimave të
Koçanit duhet të jetojë në secilin prej nesh: sa herë që një prind e përqafon fëmijën e tij, sa
herë që një i ri i ndërton ëndrrat e tij, sa herë që një profesionist e bën punën e tij me
ndershmëri dhe sa herë që një institucion vepron me përgjegjësi, ne kështu duhet t’i
përgjigjemi kësaj tragjedie. Ndoshta kjo është mënyra më e denjë për t’i kujtuar dhe
nderuar ata, duke bërë që ngjarje të tilla kurrë të mos përsëriten dhe që asnjë familje tjetër
të mos e përjetojë një dhimbje të tillë.
Të nderuar prindër të viktimave,
Me përgjegjësi të lartë dhe pikëllim të thellë, ju drejtohem juve në emër të të gjithë
qytetarëve dhe institucioneve: dhimbja juaj është dhimbja e gjithë shoqërisë sonë, por edhe
kujtimi i të dashurve tuaj është tashmë pjesë e jona dhe e ndërgjegjes sonë kolektive.
Dua ta përfundoj fjalën time me po ato fjalë që i shkrova në librin e ngushëllimit: Kjo tragjedi
është alarmi i fundit për të gjithë faktorët politikë e shoqërorë që t’i kthehemi vetes sonë,
njerëzores sonë dhe përfundimisht të ngrihemi si feniks për ta ribërë këtë shtet nga fillimi,
por duke u bazuar në DREJTËSI, NDERSHMËRI, NDËRGJEGJE TË PASTËR E
SINQERITET.
Qoftë Koçani tragjedia e fundit e vendit tonë, por edhe udhërrëfyesi ynë për një shtet të
drejtë e me sundim të ligjit.
Me nderim të lartë për çdo jetë të humbur dhe me lutje që Zoti t’i ketë mëshiruar shpirtrat e
atyre që atë natë kaluan në përjetësi. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta.