“Ata burra duhet sa më shpejt të jenë të lirë”, Tahiri: Qeveria, urgjentisht ta sjellë Ligjin për Specialen
“Ata burra duhet sa më shpejt të jenë të lirë”, Tahiri: Qeveria, urgjentisht ta sjellë Ligjin për Specialen
Shefi i deputetëve të PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar që Ligji për Dhomat e Specializuara sa më shpejt të sillet në Kuvendin e Kosovës.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se ndryshimet e këtij ligji tashmë janë draftuar dhe Qeveria e Kosovës sipas tij, duhet të veprojë me urgjencë për ta sjellë atë në legjislativ.
“Ligjin e kemi draftuar dhe e kemi procedu në qeveri. I bëj ftesë Qeverisë që sa më shpejt ta sjellë Ligjin në Kuvend, dhe Kuvendi ta argumentojë vullnetin që e shprehi dje.”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të sigurojnë mbështetje të plotë për procesin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Tahiri ka deklaruar se tani është koha për veprime konkrete institucionale.
“Ata burra duhet të jenë sa më shpejt të lirë. Nuk do të ndalemi si grup parlamentar dhe si parti, për të bërë më të mirën për të kontribuuar për këtë process, e kemi obligim. Nga këtu u bëj apel të gjitha partive politike, për maturi, përgjegjësi, unitet dhe kontribut konkret. UÇK-ja është e të gjitha partive politike, është e popullit dhe për këtë duhet të angazhohen të gjithë.”, ka thënë Tahiri. /Klankosova.tv