Shfaqja “Toksinat” e Fakultetit të Arteve nderohet me dy çmime në Festivalin e Instalacionit dhe Performancës Alternative
Shfaqja “Toksinat”, produksion i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, më 25 shtator 2026
është vlerësuar me dy çmime në Festivalin e Instalacionit dhe Performancës Alternative, një ngjarje
artistike kushtuar mjeshtrit të madh të skenës shqiptare, Enver Petrovci.
Ky vlerësim është një tjetër dëshmi e përkushtimit, kreativitetit dhe nivelit artistik që e karakterizon
punën e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, si dhe angazhimin e pedagogëve dhe
artistëve të rinj në krijimin dhe promovimin e vlerave të artit skenik.
Në kuadër të festivalit, juria profesionale, e përbërë nga Alfred Trebicka, Vanesa Petrovci dhe
Violeta Trebicka, i akordoi shfaqjes “Toksinat” dy çmime të rëndësishme: Çmimi për Regjinë më të
Mirë – profesor Sulejman Rushitit dhe Çmimi për Aktorin më të Mirë Debutant – Zurijet
Sulejmanit.
Çmimi për regjisorin, profesor Sulejman Rushitin është një vlerësim për qasjen artistike, konceptin
regjisorial dhe punën krijuese në realizimin e kësaj shfaqjeje, ndërsa çmimi për Aktorin më të Mirë
Debutant, i ndarë për Zurijet Sulejmanin, shënon një vlerësim të rëndësishëm për talentin dhe
paraqitjen e tij në skenë.
Ky sukses i “Toksinave” merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se vjen në një festival kushtuar
Enver Petrovcit, njërit prej emrave të spikatur të teatrit dhe skenës shqiptare, duke i dhënë këtij
vlerësimi një dimension të veçantë artistik dhe simbolik.
Në realizimin e shfaqjes kanë dhënë kontribut të çmuar edhe aktori Elmir Sejfullai, Ardit Selmani si
dhe Abdulla Osmani, të cilëve u shprehet mirënjohje e veçantë për bashkëpunimin, përkushtimin
dhe kontributin e tyre në këtë produksion.
Universiteti i Tetovës, përmes Fakultetit të Arteve, vijon të krijojë hapësira për zhvillimin e talentit,
afirmimin e krijuesve të rinj dhe prezantimin e punës artistike në skena dhe aktivitete të
rëndësishme kulturore.

