BDI Dega Dibër reagon lidhur me 100 ditët e para të mandatit të kryetarit të Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, duke paraqitur një vlerësim të detajuar dhe të përgjegjshëm mbi zhvillimet në këtë periudhë.

Në praktikën demokratike, raporti i 100 ditëve nuk është vetëm formalitet – është një moment reflektimi, transparence dhe llogaridhënieje ndaj qytetarëve. Ai duhet të përfaqësojë një vazhdim të besimit të fituar dhe një prezantim të qartë të zhvillimit të komunës.

Megjithatë, në Komunën e Dibrës mungon plotësisht një raport i tillë për 100 ditët e para. Nuk ka raport publik për 100 ditët. Nuk ka asnjë analizë dhe asnjë pasqyrë konkrete për punën, prioritetet apo rezultatet e arritura gjatë kësaj periudhe. Nuk ka drejtim të qartë zhvillimi.

Kjo mungesë transparence dhe llogaridhënieje është shqetësuese dhe tregon qartë mungesën e përgjegjësisë institucionale ndaj qytetarëve.

Në vend të kësaj, qytetarët janë përballur me:

mungesë të plotë të ideve dhe projekteve konkrete
përvetësim të punëve të qeverisjes së kaluar
vendime të diskutueshme dhe shpesh të dëmshme
hakmarrje politike dhe degradim institucional
Mungesa e programit dhe vizionit

Që në fillim të fushatës ishte e dukshme mungesa e një programi të shkruar dhe të strukturuar nga Fisnik Mela. Gjatë fushatës, nuk pamë asnjë program konkret të shkruajtur, asnjë ide konkrete dhe asnjë zgjidhje konkrete për problemet të cilat i shfrytëzuan për të ardhur në pushtet duke përbaltur kundërshtarin dhe duke përdorur një retorikë fallco dhe shpifëse.

Kjo mungesë idesh dhe programi u vërejt që në debatet e dobëta dhe pa nivel, ku kishte përsëritje të tezave të kundërshtarëve dhe mungesë propozimesh konkrete.

Kjo gjendje ishte e pritshme pasi kur nuk ke një ide konkrete dhe një program, nuk mund ta ndërtosh atë gjatë ushtrimit të mandatit.

Sot, pas 100 ditësh, kjo mungesë e vizionit është bërë realitet i qeverisjes.

Më poshtë ju prezantojmë disa nga premtimet kundrejt realitetit në terren.

1. Shërbimet publike & cilësia e jetës

Premtimet e kryetarit dhe koalicionit VLEN:

Ujë pa ndërprerje
Pastërti dhe menaxhim i rregullt i deponisë
Parkingje dhe gjelbërim
Përmirësim i shërbimeve shëndetësore
Realiteti:

Furnizimi me ujë është përkeqësuar ndjeshëm, deri në atë pikë sa edhe në dimër qytetarët kanë mbetur pa ujë, një situatë e paprecedentë në vitet e fundit
Menaxhimi i deponisë ka kaluar nga një gjendje relativisht e organizuar në mungesë totale rendi dhe sistemi
Nuk ka asnjë përmirësim në gjelbërim, parqe apo hapësira publike
Për herë të parë, këtë vit, është shkurtuar buxheti i ministrisë së shëndetësisë për spitalin e Dibrës.
Në vend të përmirësimit të cilësisë së jetës, kemi përkeqësim të saj.

2. Arsimi dhe rinia

Premtimet e kryetarit dhe koalicionit VLEN:

Kushte më të mira në shkolla
Mbështetje për nxënësit e talentuar
Qendër rinore inovative
Funksionalitet i plotë i shkollave
Përmirësim i kushteve bazike (ngrohje, materiale shkollore).
Realiteti:

Gjatë këtij dimri ka munguar ngrohja në hapësirat shkollore, duke e bërë të pamundur mbarëvajtjen normale të procesit mësimor.
Nuk ekziston asnjë program për mbështetje financiare të nxënësve të talentuar.
Arsimi është shndërruar në fushë të ndërhyrjeve politike dhe jo zhvillimit.

3. Urbanizmi dhe infrastruktura

Të gjithë qytetarët janë të vetëdijshëm për punët që janë kryer nga qeverisja e kaluar me ndërmarrjen komunale Standard, për përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore (ujë, kanalizim) për asfaltimin e shumicës se rrugëve në të gjithë qytetin.
Si mundet që në javën e parë dalja në vizite të konsiderohet si sukses i këtij kryetari, për punën në vijim e sipër, me prerje shiritash dhe glorifikime për projekte të dikujt tjetër?

Premtimet e kryetarit dhe koalicionit VLEN:

Rikonstruktimi i te gjithë rrugëve dhe lagjeve në qytet dhe fshatra
Projekte për parkingje dhe ujë
Investime të mëdha infrastrukturore
Ndërtim i bulevardeve të reja
Zgjerimi i rrugës drejt pikës kufitare
Projekt fotovolatik
Rikonstruktimi i sheshit Skënderbe
Realiteti:

Projektet që po realizohen janë plotësisht të trashëguara nga qeverisja e kaluar, ndërsa në vend të përshpejtimit ato po zvarriten pa dinamikë dhe pa arsye, pa u shoqëruar me asnjë iniciativë apo projekt të ri nga kjo qeverisje.
Janë ndërprerë punime të nisura, duke krijuar probleme për banorët, si ato ne rrugën “MIGJENI” dhe ne rrugën “1 Maji”.
Ka mungesë totale koordinimi dhe planifikimi.
Problemet bazike urbane mbeten ende të pazgjidhura.
Qeverisja aktuale nuk po ndërton, por vetëm po menaxhon dobët atë që ka gjetur.

4. Ekonomia dhe turizmi

Sa i përket turizmit, e pranojmë që kemi “ndryshim”, për herë të parë është rritur buxheti për harxhimet e kryetarit të komunës z. Mela, sigurisht pa projekt, pa vizion dhe pa koncept, me shpenzime të shtuara publike, ndërkohë që vizita si ato në Stamboll dhe në Slloveni nuk kanë prodhuar asnjë rezultat konkret apo përfitim real për qytetarët e Dibrës.

Premtimet e kryetarit dhe koalicionit VLEN:

Strategji për zhvillim ekonomik
Zhvillim i turizmit
Info-qendër turistike
Realiteti:

Nuk ka strategji të prezantuar
Nuk ka info-qendër turistike
Nuk ka asnjë projekt konkret për zhvillim ekonomik
Turizmi është përdorur si justifikim për shpenzime, jo si sektor zhvillimi.

5. Sporti dhe kultura

Premtimet e kryetarit dhe koalicionit VLEN:

Qendra sportive multifunksionale
Ndërtimi i pishinës se mbyllur
Institucionalizimi i festivalit te teatrit Dibër
Zgjidhja e statusit të stadiumit
Sallë për sporte marciale
Investime në sport
Objekte sportive dhe aktivitete kulturore
Realiteti:

Nuk ka asnjë projekt konkret
Nuk ka investime të dukshme
Nuk ekziston as edhe një kalendar vjetor i aktiviteteve sportive dhe kulturore
Një nga sektorët më të rëndësishëm për rininë është lënë plotësisht pas dore.

6. Organizimi i brendshëm:

Buxheti paraqet pikën më strategjike të një mandati dhe të një viti kalendarik, në menaxhimin e komunës. Buxheti i vitit 2026, u miratua pas asnjë ndryshim nga ai i viti paraprak. Kjo tregon se kryetari Mela dhe koalicioni VLEN ka miratuar buxhetin e vitit pa vizion dhe pa ide të reja, duke mos ditur që ti jep prioritet zhvillimor dhe shtesë buxhetore premtimeve të tij. E vetmja linjë buxhetore me rritje është ajo për shpenzimet e kryetarit të Komunës, pa asnjë planifikim konkret se ku dhe për çka do të harxhohen mjetet. Mungesa e planifikimit për paratë publike është tendencë për keqpërdorim apo fshehje të punëve që do të realizohen me ato mjete.

Negativ është fakti që në buxhetin e vitit 2026, për herë të parë një shkurtim mjetesh për shkollat, dhe planifikimi i mjeteve është bërë vetëm për 10 muaj. Mbetet për t’u parë se si do të mbulohen rrogat dhe shpenzimet e shkollave për dy 2 muajt e fundit te vitit 2026.

Buxheti është rruga që do të ndiqet për zhvillimin e një komune, dhe këtu kuptohet qartë se ky vit nuk do te këtë asnjë ndryshim apo zhvillim të qytetit.

E si mund te ishte ndryshe, kur nuk ka një program, nuk ka as prioritete zhvillimore, si mund ti materializohen ato në buxhet?

7. Pastërtia publike

Nuk ka aksione konkrete
Ka rënie të cilësisë së shërbimeve
Standard më i ulët se më parë
Nuk ka asnjë përmirësim në gjelbërim, parqe apo hapësira publike

8. Emërimet dhe administrata

Kryetari Mela dhe koalicioni VLEN, që në fillim të mandatit, kanë bërë emërime të drejtorëve joprofesional dhe pa kriter ligjor, kanë pasur shkarkime, kanë bërë presione për dorëheqje dhe ndërhyrje politike ne pozita udhëheqëse nëpër institucione, kanë anuluar konkurse për punësim vetëm sepse aktivistët e vet partiak nuk i kane plotësuar kriteret e konkurseve. Institucionet janë shndërruar në fushë të ndërhyrjeve politike dhe partiake dhe jo në shërbim të qytetarëve.

9. Këshilli komunal

Vendime të dobëta dhe shpesh të kundërligjshme
Tërheqje vendimesh për shkak të gabimeve
Mungesë profesionalizmi dhe arrogancë ndaj opozitës

10. Takimet dhe përfaqësimi

Ne e përgëzojmë kryetarin për pritjen e ambasadorëve të huaj dhe ardhja e tyre ne Dibër është një lajm pozitiv, por vlerësojmë se këto vizita te rëndësishme janë menaxhuar dobët, duke pasur mungese përfshirjeje institucionale dhe politike, pa transparencë dhe pa rezultate konkrete.

BDI dega Dibër nuk ka reaguar ne këtë periudhë për te qenë korrekt dhe për t’ju lënë kohën e duhur për të na treguar se duan te bëjnë diçka të mirë për Dibrën. Fatkeqësisht z.Mela është kryetar pa projekt, kryetar pa vendimmarrje.

100 ditë janë të mjaftueshme për të treguar drejtimin. Ky drejtim, fatkeqësisht, është i gabuar.

Dibra meriton më shumë: më shumë punë, më shumë përgjegjësi dhe më shumë respekt për qytetarët.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume