Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Fakultetit Filologjik, më 15 prill 2026, organizoi trajnim
për të përgatitur maturantët për provimin e maturës shtetërore në lëndën: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi.
Ky aktivitet kishte për qëllim përgatitjen e tyre për provimin e maturës, duke ofruar udhëzime
praktike, këshilla metodike dhe orientime mbi strukturën e testit. Gjatë këtij trajnimi, nxënësit patën
mundësi të thellojnë njohuritë e tyre, të praktikojnë analiza letrare dhe të përforcojnë aftësitë
gjuhësore që kërkohen në provim.
Me fjalë inkurajuese, maturantëve iu drejtua dekania e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Emine
Shabani. Ajo u shpreh së për shumicën e tyre, provimi i maturës mund të duket si presion, si stres,
por, është mundësia e tyre për të shkëlqyer. Po ashtu u ndal edhe tek eseja, e cila mund tu duket si e
vështirë, por, në fakt, eseja është zëri i tyre. Është mënyra e tyre për të treguar se si mendojnë, si
argumentojnë dhe si qëndrojnë përballë një ideje. “Sot, së bashku me asistentët tanë, nuk do të
mësoni vetëm rregulla. Sot do të praktikoni. Do të provoni. Do të gaboni. Dhe pikërisht aty fillon
përmirësimi! Mos kini frikë të ngrini dorën. Mos kini frikë të bëni pyetje. Mos kini frikë të provoni
– sepse askush nuk bëhet i shkëlqyer pa kaluar nëpër procesin e të mësuarit. Jepni maksimumin
tuaj! Angazhohuni! Merreni këtë mundësi seriozisht – sepse çdo ide që zhvilloni sot, çdo fjali që
shkruani sot, është një hap më afër rezultatit që dëshironi në maturë” – tha dekania e Fakultetit
Filologjik, Prof. Dr. Emine Shabani.
Në kuadër të këtij trajnimi, profesoresha e katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Doc. Dr.
Nertila Ramadani në prezantimin e saj, foli për pjesën e gjuhës, dilemat, pyetjet më të shpeshta dhe
mënyrën e saktë të përgjigjeve në provimin e maturës. Ndërkaq, Mr. Sc. Kaltrina Sadiki – Memeti,
elaboroi shkrimin e eseve, si pjesë e rëndësishme e provimit të maturës. Ajo theksoi se shkrimi i
eseve nuk është vetëm një pjesë formale e provimit të maturës, por një mundësi për nxënësit që të
tregojnë aftësitë e tyre analitike, argumentuese dhe krijuese.
Në shenjë respekti dhe vlerësimi për përkushtimin dhe punën e palodhur, mësimdhënësit e gjuhës
shqipe në shkollat e mesme u nderuan me mirënjohje nga dekania e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr.
Emine Shabani, si dhe shefja e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Doc. Dr. Albulena Dehari.
Në përmbyllje të aktivitetit maturantët morën pjesë në konkursin me ese. Tri esetë më të mira të
përzgjedhura nga komisioni vlerësues do të shpërblehen dhe botohen në revistën Përtej. Rezultatet e
konkursit dhe emrat e fituesve mund t’i gjeni në linkun e mëposhtëm:
Linku:  https://drive.google.com/file/d/1lp8l0tCgVNHwpAjM4kdelhNdFqizOf1q/view?usp=sharing

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume