Miratohet Plani kombëtar për energji dhe klimë 2025–2030 – 61 masa që do të sjellin rritje të fuqishme të burimeve të rinovueshme dhe standarde evropiane në energjetikë
Qeveria miratoi Planin e integruar kombëtar për energji dhe klimë 2025–2030 – një
dokument strategjik që e vendos shtetin në një rrugë të qartë drejt transformimit
energjetik, zhvillimit të qëndrueshëm dhe harmonizimit të plotë me politikat evropiane.
Plani, i hartuar me propozim të Ministrisë së energjisë, minierave dhe burimeve
minerale, paraqet një instrument kyç për modernizimin e sektorit energjetik dhe
përmbushjen e obligimeve nga Komuniteti i energjisë dhe rregullativa evropiane.
Me gjithsej 61 masa konkrete, Plani përfshin:
26 masa për dekarbonizim,
20 për efikasitet energjetik,
3 për siguri energjetike,
11 për tregun e brendshëm të energjisë dhe
1 për kërkime, inovacione dhe konkurrueshmëri.
Fokusi është i qartë – ulja e emetimeve të gazeve serrë, rritja e burimeve të rinovueshme të
energjisë dhe përmirësimi i ndjeshëm i efikasitetit të energjisë.
Në periudhën e ardhshme, shteti do të ndërmarrë hapa konkretë për: rritjen e
investimeve në energjinë diellore, të erës dhe hidroenergjinë, vendosjen e një sistemi
për çmimin e karbonit në përputhje me standardet evropiane, zhvillimin e magazinimit të
energjisë dhe infrastrukturës moderne energjetike, si dhe braktisjen graduale të qymyrit
si burim energjie.
Paralelisht, forcohet siguria energjetike përmes diversifikimit të burimeve, bashkëpunimit
rajonal dhe interkoneksioneve të reja, si dhe liberalizimit të mëtejshëm dhe integrimit të
tregut të energjisë elektrike.
Plani është rezultat i një procesi të gjerë dhe transparent në të cilin morën pjesë
institucione, ekspertë, komuniteti akademik, sektori privat dhe partnerë ndërkombëtarë.
Në përgatitjen e tij janë përfshirë edhe rekomandimet e Sekretariatit të Komunitetit të
Energjisë, si dhe politikat më të fundit evropiane.
Për dokumentin është realizuar edhe një Vlerësim strategjik i ndikimit në mjedis, i cili
analizon efektet mbi ajrin, ujërat, tokën, biodiversitetin, ndryshimet klimatike dhe
shëndetin e qytetarëve. Raporti është pranuar nga institucionet kompetente, pas
zhvillimit të debateve publike dhe konsultimeve, përfshirë edhe me shtetet fqinje.
Me zbatimin e Planit pritet përmirësim i ndjeshëm i cilësisë së mjedisit jetësor, stabilitet
dhe pavarësi më e madhe energjetike, një cikël i ri investimesh në energjetikë,
tranzicion i përshpejtuar i gjelbër dhe zhvillim ekonomik.
Ky dokument është një vizion i qartë për të ardhmen energjetike të shtetit, ku
qëndrueshmëria, inovacionet dhe standardet evropiane bëhen realitet.