Më 21 prill 2026, ekipi i Fakultetit Filozofik i Universitetit të Tetovës i filloi aktivitetet
promovuese në terren, duke zhvilluar një punëtori në Shkollën e Mesme “Saraj”-Shkup, e dedikuar
për maturantët. Kjo punëtori u organizua me temën: “Orientimi profesional për të rinjtë – rruga drejt
përzgjedhjes së profesionit”, duke synuar të ofrojë mbështetje konkrete për të rinjtë në një nga fazat
më të rëndësishme të jetës së tyre.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit patën mundësinë të informohen më gjerësisht mbi rëndësinë
orientimit profesional, duke reflektuar mbi interesat, aftësitë dhe vlerat e tyre personale. Përmes
metodave bashkëkohore të mësimdhënies, diskutimeve të hapura dhe ushtrimeve praktike,
maturantët u angazhuan aktivisht në identifikimin e prirjeve të tyre dhe në kuptimin më të qartë të
mundësive që ofron tregu i punës dhe sistemi arsimor.
Veprimtaritë e tilla synojnë jo vetëm informimin, por edhe fuqizimin e të rinjve për të marrë
vendime të mirëfillta lidhur me zgjedhjen e profesionit dhe ndërtimin e karrierës së tyre të
ardhshme. Punëtoritë janë konceptuar si një hapësirë interaktive, ku nxënësit mund të parashtrojnë
pyetje, të ndajnë dilemat e tyre dhe të marrin këshilla të drejtpërdrejta nga stafi akademik i UT-së.
Në kuadër të agjendës promovuese për vitin akademik 2026/2027, aktivitete të ngjashme do të
organizohen edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Shkupin, Kumanovën, Tetovën, Gostivarin,
Kërçovën, Dibrën dhe Strugën.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume