Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka deklaruar se është arritur marrëveshje që me sistematizimin e ri në Ministrinë e Punëve të Brendshme të rritet niveli i përfaqësimit të shqiptarëve.

Në një deklaratë për Alsat, Sali theksoi se përfaqësimi që në të kaluarën ka qenë rreth 10 për qind, pritet të rritet ndjeshëm me zbatimin e sistematizimit të ri, i cili sipas tij duhet të fillojë më 1 korrik.

“Është arritur një marrëveshje që është në favor të shqiptarëve brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme. Përfaqësimi që ka qenë rreth 10% tani do të jetë dukshëm më i lartë dhe më i konsiderueshëm”, deklaroi Sali për Alsat.

Ai shtoi se në kuadër të MPB-së ka funksionuar një grup pune dhe se janë bërë ndërhyrje edhe në organizimin e disa njësive policore, përfshirë ruajtjen e statusit të Stacionit Policor në Dibër dhe avancimin e njësisë në Saraj në nivel stacioni policor.

Sipas tij, do të krijohet edhe një pozitë shtesë e zëvendësdrejtorit të Byrosë për Siguri Publike, e cila nuk do të jetë e emëruar drejtpërdrejt nga ministri.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski ka theksuar më herët se pozitat në MPB nuk janë të rezervuara për përkatësi etnike, por për profesionistë që i plotësojnë kushtet.

Sipas autoriteteve, sistematizimi i ri përfshin shkurtime të rreth 38% të pozitave drejtuese dhe riorganizim të strukturës së brendshme të ministrisë, pa shuarje të njësive ekzistuese policore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume