Në Tetovë u mbajt një takim i rëndësishëm në kuadër të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, ku morën pjesë përfaqësues nga disa komuna shqiptare, përfshirë Çairin, Prizrenin, Tuzin, Gjakovën, Gostivarin, Bujanocin, Vrapçishtin, Vushtrrinë, Pejën dhe Preshevën.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkomunal dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim, duke theksuar koordinimin dhe shkëmbimin e përvojave përtej kufijve shtetërorë.

Në fokus të diskutimeve ishin projektet që pritet të nisin në gjysmën e dytë të vitit 2026, me theks të veçantë në sigurimin e financimeve nga fondet evropiane, forcimin e lidhjeve institucionale dhe rritjen e bashkëpunimit mes komunave. Po ashtu, u trajtuan iniciativa në fushën e zhvillimit ekonomik, turizmit, projekteve sociale dhe infrastrukturës, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e decentralizimit si një faktor kyç për zhvillimin lokal. Ai nënvizoi se komunat duhet të kenë më shumë kompetenca, përgjegjësi dhe hapësirë veprimi për të ndërtuar politika efektive dhe për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume