Nga Urim Saliu

Tetovë dje u zgjua me një lajm të dhimbshëm dhe të kobshëm. Një jetë u ndërpre papritur, një familje u mbulua me zi dhe shumë njerëz mbetën me një zbrazëti që vështirë do të mbushet.
Në një aksident tragjik pune në Gradec, nga Komuna e Vrapçishtit, humbi jetën Imer Ameti nga Tetova , një njeri i thjeshtë, i ndershëm dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë angazhimit të tij në një objekt ndërtimi, ku një kran u rrëzua dhe e goditi fatalisht. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, plagët që mori rezultuan të papërballueshme.
Por kjo nuk është vetëm një lajm për një vdekje tragjike. Kjo është historia e një njeriu që jetoi ndershëm dhe iku po ashtu me dinjitet.
Imer Ameti nuk la pas vetëm dhimbje. Ai la një mesazh të madh për të gjithë ne.
Të jetosh dhe të vdesësh ndershëm , nuk ka gjë më madhështore se kjo.
Vdekja është e pashmangshme për të gjithë. Ajo vjen papritur, pa paralajmërim. Por ajo që mbetet është mënyra si kemi jetuar, rruga që kemi zgjedhur, dinjiteti me të cilin kemi ecur në jetë.
Imeri e dha provimin e parë kur iu përgjigj kushtrimit për të mbrojtur atdheun e tij. Ai u bë një ushtar i devotshëm i kauzës së përbashkët. Aty ai tregoi karakterin e tij.
Më pas, si shumë të tjerë, ai mund të kishte zgjedhur rrugë më të lehta për t’u pasuruar. Por ai zgjodhi rrugën më të vështirë , pra punën e ndershme. Zgjodhi të mbajë familjen e tij me djersë, me bukë hallall, me nder. Ky ishte provimi i tij i dytë… dhe ai e kaloi me sukses.
Sot, kur ai nuk është më, ai na la një udhërrëfim të heshtur, por shumë të fuqishëm: Në këtë jetë të shkurtër, rëndësi ka të jemi njerëz dhe të ikim si të tillë.
Kjo vdekje dhemb për secilin që e njohu. Por është edhe krenaria më e madhe për familjen dhe pasardhësit e tij , se patën një njeri të mirë, që jetoi ndershëm dhe iku po ashtu.
Ai shkon para Zotit faqebardhë ashtu siç të gjithë ne ëndërrojmë të shkojmë një ditë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Ameti, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën.
U prehsh në paqe, Imer Ameti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume