Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të
Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN), Prof. Dr. Florim Idrizi, prodekani për shkencë i
FSHMN-së, Prof. Dr. Ahmed Jashari, shefi i programit studimor të Fizikës, Prof. Dr. Kimet Jusufi,
Prof. Dr. Bashkim Ziberi dhe Mr. Sc. Nermine Muradi nga ky program studimor, si dhe
udhëheqësja e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Deari Zeqiri, e pritën në
takim pune kryetarin e IPPOG (International Particle Physics Outreach Group), Dr. Steven
Goldfarb, profesor në Universitetin e Melburnit, shkencëtar në CERN dhe në eksperimentin
ATLAS, i cili është i angazhuar në promovimin e shkencës dhe të fizikës së grimcave.
Qëllimi i këtij takimi ishte shqyrtimi i mundësisë së anëtarësimit të Universitetit të Tetovës në këtë
rrjet global të shkencëtarëve, edukatorëve dhe komunikuesve shkencorë, i cili synon afrimin e
publikut me fushën e fizikës së grimcave. Gjatë takimit u nënshkrua marrëveshja paraprake për
anëtarësimin e Universitetit të Tetovës në këtë rrjet ndërkombëtar për promovimin e shkencës dhe
fizikës së grimcave.
Pas takimit, Prof. Dr. Steven Goldfarb mbajti një ligjëratë motivuese me studentët e FSHMN-së, me
temën: “Përfshirja e botës nëpërmjet kërkimeve të LHC-së”. Ai u fokusua në kontributin e LHC-së
(Large Hadron Collider) në zbulimet më të rëndësishme shkencore, si dhe në ndikimin e
teknologjive të zhvilluara nga këto kërkime në jetën e përditshme dhe në kuptimin e origjinës së
universit. Po ashtu, ai i inkurajoi studentët që të ndjekin rrugën e kërkimit shkencor, të zhvillojnë
ide inovative dhe të kontribuojnë në projekte me shtrirje globale dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në
zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të shoqërisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume