Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka deklaruar se provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe, duke theksuar se kjo dëshmon se çështjet e shqiptarëve zgjidhen me angazhim institucional dhe jo me deklarata politike.
Sipas Azizit, vetëm një ditë pasi bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, paralajmëruan lajme të mira për çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ata janë angazhuar menjëherë në takim pune me kryeministrin për të avancuar zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar.
“Në takim u diskutua për përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, me fokus të qartë që zgjidhja të jetë e plotë, funksionale dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve”, ka theksuar Azizi.
Ai shtoi se VLEN po dëshmon se çështjet e shqiptarëve nuk zgjidhen “me deklarata boshe dhe improvizime politike, por me punë konkrete institucionale dhe me zgjidhje të qëndrueshme”.