Studentët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të Universitetit të Tetovës, më 13 maj 2026 realizuan vizitë studimore në qumështoren “Vita” dhe në repartet e prodhimit të lëngjeve në Istog të Republikës së Kosovës.
Vizita u organizua në kuadër të aktiviteteve praktike të fakultetit, duke u ofruar studentëve mundësinë të njihen me funksionimin e proceseve teknologjike në industrinë e përpunimit të qumështit.
Gjatë qëndrimit në këtë kompani, studentët dhe stafi akademik i përcollën të gjitha fazat e procesit të prodhimit, nga pranimi i lëndës së parë, përpunimi teknologjik dhe trajtimi termik, deri te paketimi dhe distribuimi i produkteve finale. Vëmendje e veçantë iu kushtua proceseve të pasterizimit, homogjenizimit, fermentimit dhe analizave laboratorike për kontrollin e cilësisë dhe sigurisë ushqimore.
Studentët patën mundësi të ndjekin edhe funksionimin e linjave moderne të prodhimit, përdorimin e sistemeve automatike për kontroll dhe monitorim, si dhe standardet që aplikohen për garantimin e cilësisë në industrinë ushqimore moderne.
Vizita u zhvillua nën udhëheqjen e stafit të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, të cilët i orientuan studentët në aspektin profesional dhe kontribuuan në thellimin e njohurive të tyre mbi aplikimin praktik të përmbajtjeve mësimore në sektorin industrial.
Përfaqësuesit e qumështores “Vita” dhe Devolli Corporation prezantuan para studentëve organizimin e proceseve prodhuese, standardet teknologjike dhe rëndësinë e inovacionit në zhvillimin e industrisë ushqimore, duke theksuar gjithashtu nevojën për kuadro profesionale të përgatitura sipas kërkesave të tregut.
Kjo vizitë studimore dëshmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe sektorit industrial, si një mundësi konkrete për përgatitjen profesionale të studentëve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume