Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, do të marrë pjesë në Athens Defence Summit, në panelin me temë “Siguria e Europës në udhëkryq”, ku do të diskutohet mbi sfidat e reja të sigurisë në Evropë pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe implikimet për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në fjalimin e tij, Osmani do të theksojë se në Ballkan problemet rrallëherë fillojnë me mjete ushtarake. Ato fillojnë shumë më herët me erozionin e institucioneve, me sulmet ndaj marrëveshjeve që garantojnë bashkëjetesën dhe me humbjen graduale të besimit të qytetarëve në shtet.
Ai do të nënvizojë se e ardhmja e sigurtë e Ballkanit nuk ruhet vetëm me mekanizma të sigurisë, por mbi të gjitha me institucione funksionale, barazi, përfaqësim dhe respekt të marrëveshjeve politike që kanë ndërtuar bashkëjetesën në vendet multietnike.
Osmani pritet të flasë edhe për rëndësinë strategjike të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si projekt i kompletimit të Evropës dhe si garanci afatgjate për paqe dhe siguri në rajon.