Ky është prokurimi i parë i madh i autobusëve plotësisht elektrikë nga Qeveria pas 14 vitesh. Qëllimi është të përmirësohet transporti publik në Shkup dhe në komunat e tjera, të ulet ndotja, të lehtësohet trafikun dhe të modernizohet lëvizshmëria urbane.

Detaje kryesore:
– Çmimi për një autobus: 321.958 euro (pa TVSH), i arritur përmes ankandi elektronik publik.
– Autobusët do të kenë: sistem automatik ngrohje/ftohje, motor elektrik me fuqi maksimale të paktën 350 kW, ekrane për stacionet dhe numrin e linjës, 3 dyer, platformë për persona me aftësi të kufizuara, sisteme frenimi dhe sigurie.
– Kapaciteti: të paktën 33 vende ulëse dhe gjithsej 67 pasagjerë.

Ministria krahason projektin me atë të Zagrebit (62 autobusë për 56,8 milionë euro) dhe thekson se krahasimet me autobusët ekzistues me gaz natyror të komprimuar (CNG) nuk janë të përshtatshme, sepse kanë karakteristika teknike të ndryshme. Një pjesë e autobusëve do të shkojë në Shkup, pjesa tjetër në komunat e tjera.

Sipas Ministrisë, përveç përfitimeve mjedisore, këta autobusë pritet të ulin edhe kostot e mirëmbajtjes dhe konsumit të energjisë në afat të gjatë. Prokurimi është pjesë e planit strategjik për transformimin e sistemit të transportit urban.