Në horizontin historiko-politik të tranzicionit tonë institucional, zhvillimet e fundit sjellin
një kontrast ontologjik dhe gnoseologjik ndërmjet dy qasjeve polare ndaj pushtetit: në njërin
krah, alienimi i ftohtë i arrogancës teknokratike dhe, në krahun tjetër, pesha aksiologjike e
integritetit njerëzor e organik. Kur analizojmë strukturat e përfaqësimit të jashtëm dhe të
diplomacisë shtetërore, ky ballafaqim kapërcen thjesht rrafshin e rotacionit administrativ apo
pragmatik të kuadrove; ai shpërfaq një përplasje parësore ndërmjet dy filozofive të ndryshme
ekzistenciale: paradigmës së pushtetit eksogjen, të imponuar përmes mekanizmave vertikalë e
klanorë, dhe paradigmës së autoritetit endogjen, që buron në mënyrë organike nga legjitimiteti
popullor.
I. Tribuna e Nju-Jorkut dhe diskursi shtetformues: Hermeneutika e diplomacisë
normative
Çdo prezencë në teatrot e larta të gjeopolitikës botërore, mediatike apo me fokus të
veçantë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, shërben si një
tregues i pjekurisë strategjike të një subjekti ndërkombëtar. Pjesëmarrja aktive e
Zëvendëskryeministrit të Parë, Bekim Sali, në skenën globale shfaqi një artikulim që shmangu
konvencionet thjesht protokollare. Diskursi i tij u strukturua si një sintezë e qartë e vizionit
euroatlantik, e maturës shtetërore dhe e pragmatizmit gjeopolitik.
Përmes një analize me frymë të hapur dhe parimore, ai dekonstruktoi idenë e integrimit
evropian si një proces eksklusivisht burokratik, duke e risjellë atë si një domosdoshmëri
historike-teleologjike. Ky vizion kërkon zbatim rigoroz të reformave strukturore, sundim të
pakompromis të ligjit dhe funksionalizim të administratës publike. Ky artikulim ritaksoi faktin se
stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të qëndrojë mbi simula krahasuese apo fasada
retorike, por buron nga implikime të forta makroekonomike, siç është Plani i Rritjes i Bashkimit
Evropian, duke pasur si qëllim final mbrojtjen e dinjitetit njerëzor e institucional.
Ky diskurs fitoi vëmendjen e delegacioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, pikërisht
sepse refuzoi frazeologjinë e ngurtësuar dhe shabllonet formale, duke folur gjuhën e veprave të
matshme dhe të vlerave universale. Ishte dëshmia se kur përfaqësimi ndërkombëtar zhvishet nga
komplekset e inferioritetit dhe mbështetet mbi autoritetin e punës dhe legjitimitetit qytetar, ai
arrin të sigurojë besueshmëri të lartë gjeopolitike.

II. Iluzioni i lartësisë epistemike dhe sindroma e hubris-it teknokratik
Në skenën e brendshme institucionale, kjo kthesë cilësore e përfaqësimit nxjerr në pah
kontrastin e thellë me trashëgiminë e mëparshme, ku figura si Bujar Osmani e konceptuan
pushtetin si një entitet të shkëputur nga baza, duke e parë shoqërinë dhe trupën profesionale me
një lloj distancimi përçmues. Kjo përfaqëson një patologji psiko-politike të njohur: kur një
individ katapultohet në krye të dikastereve të larta jo përmes procesit demokratik të votës së lirë,
por përmes inxhinierive të korridoreve dhe strukturave të mbyllura oligarkike, zhvillohet ajo që
në filozofinë antike quhej hubris – një kompleks i rrezikshëm madhështie pa bazë reale.
Kjo dukuri mori një përgjigje të qartë në fushën e ballafaqimit elektoral në Çair, ku
disfata e thellë shërbeu si një pasqyrë e shkëputjes fatale nga baza sociale. Pa pasur mbështetjen
e popullit, ky model pushteti u izolua brenda mureve të ministrisë, duke aplikuar një arrogancë
që imitonte strukturat feudale të qeverisjes. Shpërfaqja më e pastër e këtij alienimi institucional
ishte sistemi i deformuar i shpërblimeve dhe mirënjohjeve, të cilat u kanalizuan drejt
analfabetizmit funksional dhe militantizmit të verbër partiak, në dëm të hapur të vlerave të
mirëfillta intelektuale dhe profesionale. Për vite me radhë, trupa akademike e Ministrisë së
Punëve të Jashtme përfaqësohej në majat e saj ekskluzive nga autoriteti im shkencor — me një
bagazh prej mbi 350 publikimesh, pjesëmarrjesh në seminare e konferenca ndërkombëtare dhe
15 titujsh shkencorë të botuar — si dhe nga kolegu im, Prof. Dr. Vedat Rexhepi, një figurë që
njëkohësisht ligjëron në universitetet e Brukselit. Fakti që dy të vetmit Profesorë Doktorë të këtij
dikasteri u lanë qëllimisht te dera e MPJ-së, të shkelur dhe të mospërfillur në mënyrë sistematike
nga ish-ministri, përbën dëshminë më flagrante se si frika nga dija dhe integritetit profesional
kthehet në udhërrëfyes të mediokritetit.
Ky deficit njerëzor dhe kulturor bëhet edhe më i mprehtë kur vendoset përballë historisë
institucionale: të gjithë ministrat e tjerë maqedonas, përgjatë karrierës sime, kanë shfaqur një
etikë të lartë shtetërore, duke më përshëndetur të parët me respekt të ndërsjellë në çdo kohë, e
duke vlerësuar zyrtarisht me mirënjohje aktivitetet dhe rezultatet e mia tashmë të njohura
gjerësisht nga opinioni publik. Mospërshëndetja demonstrative dhe injorimi sistematik i
kolegëve dhe elitës akademike nga ana e ish-ministrit nuk ishte shenjë autoriteti, por shfaqje e
një kompleksi përpara meritokracisë. Kur individë me bagazh të lartë gjeopolitik dhe me projekte
konsullore të dëshmuara ndërkombëtarisht anashkalohen, institucioni pëson një degradim
strukturor duke u kthyer në pronë private të klaneve. Frika ndaj mendimit të lirë mbetet vula më
e errët e këtij modeli të shkuar.
III. Autenticiteti organik dhe morali si imperativ: Antroponimia e Bekim Saliut
Enë polin e kundërt, zhvendosja nga kulla e fildishtë e teknokracisë drejt burimit autentik
të autoritetit na ballafaqon me profilin e Bekim Saliut. Këtu, filozofia e lidershipit merr një
përmasë tjetër, të udhëhequr nga parimet e moralit dhe të afërsisë humane. Ky model mbetet në

mënyrë të vazhdueshme i lidhur me rrënjët e tij me popullin, jo për shkak të ndonjë pragmatizmi
oportunist elektoral, por si rrjedhojë e një shtëpie shpirtërore dhe identitare të përbashkët.
Një burrë shteti i vërtetë vlerësohet nga aftësia e tij për të ruajtur lidhjen me komunitetin,
jo vetëm në çastet formale të ceremonive, por në çdo sfidë apo krizë që prek thellësitë e
shoqërisë. Legjitimiteti i tij nuk është produkt i marrëveshjeve sekrete apo emërimeve
administrative, por buron nga një besim i fituar dhe të konfirmuar vazhdimisht në proceset
zgjedhore, nga Çairi e deri në mbarë Shkupin.
Ajo që e lartëson këtë personalitet nuk është thjesht funksioni politik apo ekzekutiv, por
bujaria e tij humane dhe intelektuale. Kjo kulturë udhëheqjeje nuk vjen nga shkollat e
diplomacisë formale e të ftohtë, por rrjedh nga rrënjët e pastra familjare, ku morali, besimi,
burrëria dhe integriteti kanë qenë gurë themeli të përcjellë brez pas brezi me një xhelozi të lartë
etike.
IV. Sinteza gnoseologjike: Kur etika dhe diplomacia konvergojnë
Në teorinë dhe praktikën e diplomacisë ndërkombëtare, shpesh harrohet se diplomati më
efikas është ai që arrin të ruajë dimensionin e tij human përpara se të zbatojë funksionin teknik.
Kur elementi njerëzor dhe ai diplomatik bashkohen në një sintezë të vetme – ashtu siç u dëshmua
në tribunën e Nju-Jorkut dhe në qasjen e përditshme institucionale – krijohet modeli i vërtetë i
përfaqësimit mediatik e gjeopolitik me dinjitet. Bekim Sali dëshmon se autoriteti i vërtetë nuk ka
nevojë për mure mbrojtëse burokratike apo për mospërfillje arrogante; ai mbahet në këmbë nga
sinqeriteti, nga morali i lartë dhe nga respekti për dijen, vlerën dhe meritën e tjetrit.
Në fund të çdo cikli historik, dialektika e kohës i vendos gjërat në vendin e vet të
merituar. Hijet e arrogancës dhe të ushtrimit të papërgjegjshëm të pushtetit zbehen duke u kthyer
në fusnota të harruara të historisë, ndërsa vepra, morali i lartë njerëzor, rrënjët e forta dhe puna e
ndershme mbeten një dritë e pashlyeshme që udhëheq t'ardhmen e një shoqërie që di t'i vlerësojë
vlerat e vërteta.

Nga: Prof. Dr. Halim Hyda
Diplomat karriere

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume