Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar dje në Shkup, disa javë pasi në këtë qytet u mbajtën protesta të studentëve shqiptarë për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës. Çështje për të cilën u kritikua se nuk kishte bërë asnjë reagim publik, për shkak të miqësisë me aleatët politik atje, shkruan Gazeta Metro.

Në një kohë kur çështja e gjuhës shqipe kishte ngjallur reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti kishte zgjedhur të qëndrojë i heshtur publikisht.

Në injorim të krejt kësaj situate me çka shqiptarët po përballen atje, Kurti shkoi në konakun e dostave me të cilët kanë bashkuar forcat politike Shkup-Prishtinë.

Vizita e tij u bë publike nga Izet Mexhiti, i cili publikoi një fotografi duke e mirëpritur atë në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Në këtë vizitë, Kurti është parë në shoqëri të përfaqësuesve të koalicionit VLEN, të cilët janë pjesë e qeverisë atje.

Bashkë me zyrtarë të VLEN-it Kurti ka ndjekur shfaqjen “Përtej Hekurave” në Teatri Shqiptar në Shkup. Shfaqja trajtonte temat e lirisë dhe mendimit përmes figurave të Ismail Kadare dhe Ukshin Hoti, duke sjellë në skenë peshën e fjalës dhe qëndresës.

Një veprim i tillë që u komentua sa për “hi syve” në momentin kur gjuha shqipe është drejt asimilimit, në Maqedoninë e Veriut, ku siç kritikohej Kurti që s’kishte marr asnjëherë asnjë iniciativë për thirrje në respektim të drejtës ligjore që u përket sipas Marrëveshjes së Ohrit shqiptarëve atje.

Megjithatë, kjo vizitë vjen pas një periudhe kur në të njëjtin qytet ishin zhvilluar protesta të studentëve shqiptarë për një çështje që lidhet drejtpërdrejt me të drejtat gjuhësore. Pavarësisht kësaj, deri më tani nuk është regjistruar asnjë reagim zyrtar nga Kurti apo nga Qeveria e Kosovës

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume