Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nga Kuvendi Zgjedhor i degës së partisë në Zhelinë, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj koalicionit VLEN, duke thënë se ai nuk ka peshë vendimmarrëse në qeveri dhe se vepron sipas direktivave të partnerëve të tij.

“Nuk i pyet askush. Kur shkon te dikush si qiraxhi, duhet të punosh ashtu siç të thotë agai. Agai të jep detyrat që në mëngjes dhe kur kthehesh në mbrëmje, të tërheq veshin nëse nuk e ke kryer punën siç ta ka kërkuar. A i keni parë veshët sa u janë zgjatur?”, deklaroi Ahmeti, raporton TS.

Sipas tij, “agai” i VLEN-it është kryeministri Hristijan Mickoski, duke aluduar se vendimet kryesore merren nga VMRO-DPMNE, ndërsa partnerët shqiptarë në qeveri nuk kanë ndikimin e duhur.

Ahmeti theksoi se përfaqësimi i shqiptarëve duhet të bazohet në legjitimitetin e votës dhe në respektimin e vullnetit të qytetarëve, duke përsëritur qëndrimin e BDI-së se shqiptarët duhet të përfaqësohen nga ata që marrin besimin e elektoratit shqiptar.

Deklaratat e Ahmetit u bënë para anëtarëve dhe simpatizantëve të BDI-së në Zhelinë, në kuadër të aktiviteteve organizative të partisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume