Në mbledhjen e sotme të Këshillit Ekonomik-Social (KES), partnerët socialë diskutuan
për disa çështje me rëndësi për punëtorët, punëdhënësit dhe standardin e jetesës së
qytetarëve, me theks të veçantë te shporta mesatare e konsumit, e përgatitur nga
Ministria e Ekonomisë dhe Punës.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi se qëllimi i metodologjisë së re
për përllogaritjen e shportës së konsumit është të sigurojë një pasqyrë objektive,
transparente dhe të bazuar në të dhëna statistikore të shpenzimeve reale të familjeve, e
cila do të shërbejë si bazë për hartimin e politikave cilësore ekonomike dhe sociale.
“Qëllimi ynë nuk është të paraqesim një shifër më të ulët, por të sigurojmë një pasqyrë
të verifikueshme, transparente dhe të bazuar në statistika të shpenzimeve të familjeve.
Të dhënat duhet të na shërbejnë si bazë për marrjen e vendimeve të përgjegjshme dhe
ndërmarrjen e masave që do të kontribuojnë në përmirësimin e standardit të jetesës
dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve”, theksoi ministri Durmishi.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, shporta mesatare e konsumit
për muajin shtator 2026 arrin në 58.117 denarë për një familje katëranëtarëshe, që
paraqet një ulje prej 358 denarësh, përkatësisht 0,6 për qind krahasuar me muajin
gusht. Njëkohësisht, në krahasim me muajin janar të këtij viti, vlera e shportës është
rritur për 1.736 denarë ose 3,1 për qind.
Ministri theksoi se këto të dhëna konfirmojnë nevojën për monitorim të vazhdueshëm të
lëvizjeve të çmimeve, por edhe për vlerësim të kujdesshëm të presioneve mbi buxhetet
familjare.
Në kuadër të mbledhjes u prezantua edhe metodologjia për përllogaritjen e shportës së
konsumit, e cila përfshin 11 kategori shpenzimesh dhe 101 produkte ushqimore.
Përllogaritja bazohet në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës për tetë qytete,
informacionet mbi çmimet e frutave dhe perimeve nga 23 tregje, si dhe të dhënat nga
pesë zinxhirë të mëdhenj tregtarë dhe tre zinxhirë rajonalë.
Përmes kësaj qasjeje, Ministria siguron një përfshirje më të gjerë të çmimeve dhe
konsumit në nivel të gjithë vendit, me qëllim që të krijohet një pasqyrë më përfaqësuese
e shpenzimeve të familjeve.
Sa u përket dallimeve me përllogaritjet e tjera të shportës së konsumit, ministri sqaroi se
ato burojnë nga struktura, përfshirja dhe burimet e ndryshme të të dhënave. Dallimet

më të theksuara vërehen te ushqimi dhe pijet, veshmbathja dhe këpucët, arsimi, banimi
dhe shpenzimet komunale, ndërsa në kategori të caktuara, si mirëmbajtja e amvisërisë,
rekreacioni dhe kultura, përllogaritja e Ministrisë tregon vlera më të larta.
“Përllogaritjet e ndryshme nuk duhet të jenë arsye për kontestime të ndërsjella, por
nxitje për diskutim konstruktiv dhe hartim të politikave të bazuara në të dhëna relevante.
Asnjë statistikë nuk mund ta zëvendësojë kujdesin e vërtetë për fuqinë blerëse, sigurinë
ekonomike dhe jetën dinjitoze të qytetarëve”, theksoi Durmishi.
Përveç shportës së konsumit, në mbledhjen e Këshillit Ekonomik-Social u diskutuan
edhe çështjet që lidhen me ditët jopune, punën të dielave, mundësitë për vendosjen e
javës katërditore të punës, si dhe rregullimin e stazhit pensional.
Ministri theksoi se të gjitha këto çështje kërkojnë shqyrtim të kujdesshëm, harmonizim
të interesave të ndryshme dhe përfshirje aktive të partnerëve socialë.
“Këshilli Ekonomik-Social është vendi ku i dëgjojmë argumentet e sindikatave,
punëdhënësve dhe institucioneve. Përcaktimi ynë është që përmes dialogut social të
hapur dhe konstruktiv të arrijmë deri te zgjidhjet që do t'i mbrojnë të drejtat e
punëtorëve, do të sigurojnë parashikueshmëri për punëdhënësit dhe do të kontribuojnë
në përmirësimin e standardit të jetesës”, porositi ministri Durmishi.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbetet e përkushtuar ndaj avancimit të dialogut
social, monitorimit transparent të treguesve ekonomikë dhe hartimit të politikave të
qëndrueshme, të orientuara drejt përmirësimit të kushteve të punës dhe jetesës për të
gjithë qytetarët.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume