Gjatë ditës së sotme, persona të autorizuar zyrtarë të Drejtorisë së Policisë Financiare, së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke vepruar sipas urdhrave të lëshuara nga gjyqtari i procedurës paraprake, e në koordinim dhe nën drejtimin e prokurorit publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kryen kontrolle në shtëpi, hapësira afariste dhe te persona në disa lokacione në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Ky aksion rrjedh nga një kallëzim penal i paraqitur më parë nga Drejtoria e Policisë Financiare në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër tre personave të punësuar në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, drejtuesve, pronarëve dhe personave të autorizuar të subjekteve juridike, si dhe kundër personave juridikë, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e disa veprave penale.

“Në këtë rast përfshihen dy ish-presidentë të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer veprën penale “Përvetësim në shërbim”, udhëheqësja e Departamentit për Financa dhe Kontabilitet në FFM, 14 drejtues, pronarë dhe persona të autorizuar në persona juridikë, si dhe udhëheqësi i Departamentit për Gjyqtarë dhe gjykim në FFM, ndaj të cilëve, përveç veprës penale “Përvetësim në shërbim”, u ngarkohet edhe vepra penale “Pastrimi i parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale”.

Gjithashtu, përfshihen edhe tetë persona juridikë, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer veprat penale “Përvetësim në shërbim” dhe “Pastrimi i parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale”.

Sipas provave të siguruara në procedurën parahetimore, i dyshuari i parë, në cilësinë e presidentit të FFM-së, së bashku dhe me marrëveshje paraprake me të dyshuarën – udhëheqëse e Departamentit për Financa dhe Kontabilitet – në periudhën nga 1 janar 2015 deri më 25 korrik 2018, përmes disa veprimeve të lidhura kohore dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe për persona të tjerë, kanë përvetësuar mjete financiare të besuara në shërbim në shumën totale prej 127.451.156 denarë.

I dyshuari i dytë, po ashtu në cilësinë e presidentit të FFM-së, së bashku dhe me marrëveshje paraprake me të njëjtën të dyshuar, në periudhën nga 25 korrik 2018 deri më 10 tetor 2019, përmes disa veprimeve të lidhura kohore, ka përvetësuar mjete financiare të besuara në shërbim në shumën prej 53.351.209 denarë.

E dyshuara, udhëheqëse e Departamentit për Financa dhe Kontabilitet, me qëllim të fshehjes së pagesave të paligjshme ndaj disa personave juridikë, ka kryer manipulime me evidencën kontabël të FFM-së. Fillimisht pagesat i ka evidentuar si zvogëlim të detyrimeve në bazë të faturave hyrëse, ndërsa më pas ka ndryshuar urdhrat e regjistruar të kontabilitetit, duke fshirë detyrimet dhe duke i evidentuar si shpenzime pa përmendur faturë konkrete, shërbim apo partner afarist. Me këto veprime ka shkaktuar që evidenca kontabël e FFM-së të përmbajë kartela analitike të paplota, të pasakta dhe të manipuluara për partnerët afaristë dhe shpenzimet.

Dy presidentët e dyshuar të FFM-së, në periudha të ndryshme kohore, edhe pse ishin të detyruar të siguronin përdorim të ligjshëm, ekonomik, të dedikuar dhe transparent të mjeteve financiare dhe të ushtronin kontroll mbi punën financiare të federatës, kanë miratuar dhe nënshkruar gjithsej 728 urdhra pagesash të dorëzuara nga e dyshuara. Me këtë kanë mundësuar pagesa të mjeteve financiare pa dokumentacion të plotë dhe të vlefshëm financiar dhe pa verifikim paraprak të bazueshmërisë dhe qëllimit të pagesave.

Duke vepruar në kundërshtim me nenin 92 të Statutit të FFM-së dhe nenin 6 të Rregullores për organizimin e FFM-së, si dhe duke mos ndërmarrë masa për parandalimin e përdorimit të paligjshëm të mjeteve, ata i kanë shkaktuar dëm Federatës së Futbollit të Maqedonisë në shumën totale prej 180.802.365 denarë.

Të dyshuarit – drejtues, pronarë dhe persona të autorizuar në personat juridikë – në emër dhe për llogari të personave juridikë, kanë lëshuar fatura me përmbajtje të pavërtetë për gjoja shërbime të kryera dhe mallra të dorëzuara ndaj FFM-së. Në bazë të këtyre faturave, e dyshuara ka përgatitur urdhra pagesash që u janë dorëzuar personave përgjegjës në FFM për miratim dhe nënshkrim.

Në këtë mënyrë FFM-së i është shkaktuar dëm në shumën e përmendur, ndërsa personat juridikë kanë përfituar dobi pasurore të kundërligjshme. Më pas, mjetet e përfituara nga vepra penale janë pranuar, shpërndarë, futur në qarkullim dhe përdorur në transaksione financiare me qëllim të fshehjes së origjinës së tyre të paligjshme.

Në kuadër të aksionit, dhe sipas udhëzimeve të prokurorit publik kompetent, nga personat e autorizuar të Drejtorisë së Policisë Financiare janë privuar nga liria 12 persona, 5 persona janë të paarritshëm për organet e ndjekjes, ndërsa njëkohësisht është siguruar dokumentacion shtesë, janë sekuestruar mjete financiare dhe janë marrë pajisje elektronike që do t’i nënshtrohen ekspertizës.

Aksioni është rezultat i një procedure shumëvjeçare para-hetimore për FFM të zhvilluar nga hetuesit e Qendrës Hetimore pranë Prokurorisë Publike NKOK dhe DPF.

Kujtojmë se Prokuroria ka hetuar sfondin e ndërtimit të një tribune në stadiumin e Ohrit, për të cilin ish kreu i FFM-së Muhamed Sejdini akuzohet për abuzim me detyrën e tij zyrtare.

Sejdini u arrestua më 23.04.2026, ndërsa në tetor të vitit 2024 i është hequr dokumenti diplomatik i udhëtimit. Kryetari i FFM-së paraprakisht ka njoftuar që në fund të muajit shtator është sulmuar nga tre persona në një lokal në qendër të Shkupit.

Muhamet Sejdini e udhëhoqi FFM-në nga viti 2018, kur e trashëgoi nga Illço Gjorgjievski. Paraprakisht katër vite ishte njeriu i dytë i Federatës. Ai dha dorëheqje nga pozita e kryetarit në nëntor të vitit 2024. Pas tij kryetar u zgjodh Masar Omeragiç.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume