Në një atmosferë pozitive dhe me mesazhe uniteti, u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Butel, ku u konstituuan organet dhe strukturat e reja drejtuese të degës: Kryesia e Degës, Këshilli Mbikëqyrës dhe Komiteti i Veteranëve.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, pas përfundimit të kuvendit, theksoi se edhe në Butel u dëshmua unitet, pjekuri politike dhe përkushtim ndaj vlerave që, sipas tij, kanë udhëhequr partinë gjatë 24 viteve të fundit.

Ahmeti gjatë fjalimit të tij u ndal edhe te zhvillimet aktuale politike në vend, duke shprehur shqetësimin për atë që e cilësoi si cenim të arritjeve të shqiptarëve dhe të mekanizmave të barazisë e përfaqësimit.

“Për 24 muaj me radhë po shohim përpjekje sistematike për të zhbërë atë që shqiptarët dhe qytetarët e këtij vendi e kanë ndërtuar me shumë mund gjatë 24 viteve të fundit”, deklaroi Ahmeti.

Ai kritikoi qasjet që, sipas tij, relativizojnë të drejtat e fituara dhe theksoi se mbrojtja e interesave të shqiptarëve mbetet prioritet i BDI-së.

Nga Buteli, Ahmeti përcolli mesazhin se Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i organizuar dhe i vendosur për të mbrojtur Marrëveshjen e Ohrit, barazinë dhe perspektivën euroatlantike të vendit.

“Do të vazhdojmë të qëndrojmë në mbrojtje të dinjitetit, barazisë dhe interesit të qytetarëve tanë, ashtu siç kemi bërë gjithmonë”, u shpreh Ali Ahmeti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume