Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së partisë në Karposh, ku ka vlerësuar organizimin dhe përkushtimin e anëtarësisë ndaj vlerave mbi të cilat, sipas tij, është ndërtuar rrugëtimi politik i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Në fjalimin e tij, Ahmeti u ndal te historia dhe sfidat me të cilat janë përballur shqiptarët e Karposhit ndër vite, duke kujtuar periudhat kur ata ishin të ekspozuar ndaj padrejtësive, presioneve dhe përpjekjeve për margjinalizim.

“Karposhi mban në kujtesën e tij kohë jo të lehta, kur shqiptari përballej me padrejtësi, me frikë dhe me përpjekje të vazhdueshme për t’u margjinalizuar. Por asnjëherë nuk u dorëzua. Përkundrazi, nga ato sfida lindi vendosmëria për të qëndruar dhe për të mbrojtur dinjitetin”, tha Ahmeti.

Lideri i BDI-së theksoi se të arriturat e shqiptarëve nuk kanë ardhur rastësisht, por janë rezultat i sakrificës së gjeneratave të tëra.

“Asgjë nuk na është dhuruar. Çdo e drejtë, çdo avancim dhe çdo sukses mban vulën e sakrificës së brezave të tërë. Në këtë rrugëtim, BDI ka qenë organizimi politik që ka artikuluar, mbrojtur dhe avancuar kërkesat legjitime të shqiptarëve”, deklaroi ai.

Ahmeti bëri thirrje për ruajtjen e unitetit dhe vazhdimin e angazhimit politik me vizion e përgjegjësi, duke theksuar se Karposhi mbetet një dëshmi e qëndresës dhe e aftësisë së shqiptarëve për të ndërtuar të ardhmen e tyre me dinjitet.

Sipas tij, përgjegjësia e brezit të sotëm është të ruajë trashëgiminë politike dhe kombëtare, duke vazhduar rrugën përpara me besim dhe përkushtim.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume