Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka shprehur kënaqësinë e tij pas përfundimit me sukses të Akademisë Politike të BDI-së, duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e të rinjve pjesëmarrës.
Ahmeti ka theksuar se besimi, energjia dhe përkushtimi i gjeneratës së re përbëjnë një garanci se e ardhmja do të ndërtohet mbi dije, përgjegjësi dhe vizion.
“Sot ishte kënaqësi e veçantë të jem mes vajzave dhe djemve të rinj që përfunduan me sukses Akademinë Politike të BDI-së. Investimi te të rinjtë është investim për të ardhmen e shoqërisë dhe të kombit tonë”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas tij, Akademia Politike nuk është vetëm një program edukimi politik, por një shkollë e formimit të liderëve të së nesërmes.
Ai ka shprehur bindjen se shumë prej të rinjve të përfshirë në këtë program do të jenë bartës të proceseve të rëndësishme shoqërore dhe politike, duke u shërbyer qytetarëve me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim.
Ahmeti u ka uruar të rinjve që ky rrugëtim të jetë vetëm fillimi i angazhimit të tyre në shërbim të vlerave demokratike dhe interesit të përgjithshëm.



