Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me Komisionerin Evropian për Shëndetësi, Oliver Varhej, nënshkruan sot në Bruksel marrëveshjen për pjesëmarrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në programin EU4Health, programi më i madh i Bashkimit Evropian në fushën e shëndetësisë.

Në ceremoninë solemne të nënshkrimit, ministri Aliu theksoi se anëtarësimi në EU4Health përfaqëson një hap të rëndësishëm në integrimin evropian të shëndetësisë maqedonase dhe një konfirmim se proceset reformuese në vend po zhvillohen në përputhje me standardet dhe prioritetet evropiane.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, vendi ynë bëhet pjesë e përpjekjeve evropiane për forcimin e sistemeve shëndetësore, avancimin e shëndetit publik, digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore, përmirësimin e gatishmërisë për kriza shëndetësore dhe sigurimin e një kujdesi shëndetësor më cilësor për qytetarët. Ky nuk është vetëm anëtarësim në një program evropian, por një investim në shërbime më të mira shëndetësore, institucione më të forta dhe kushte më të mira për pacientët dhe punonjësit shëndetësorë. Me EU4Health, reformat tona fitojnë mbështetje shtesë evropiane, njohuri dhe partneritete”, theksoi ministri Aliu në fjalën e tij.

Ai theksoi se nënshkrimi i sotëm është një sinjal i rëndësishëm se Maqedonia e Veriut jo vetëm që deklaron orientimin e saj evropian, por e shndërron atë në politika konkrete dhe mundësi konkrete për qytetarët.
Pjesëmarrja në program do t’u mundësojë institucioneve shëndetësore dhe ekspertëve maqedonas të përfshihen në rrjete evropiane, projekte të përbashkëta dhe iniciativa të orientuara drejt përmirësimit të politikave dhe shërbimeve shëndetësore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume