Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në brifingun e sotëm me përfaqësuesit e mediave theksoi se, pas një viti nga marrja e detyrës, rezultati më i rëndësishëm nuk qëndron vetëm te projektet dhe proceset individuale që janë nisur, por te drejtimi që është vendosur.

“Anëtarësimi në programin EU4Health më 24 qershor në Bruksel do të jetë konfirmimi më i fuqishëm se reformat e brendshme po marrin një kornizë evropiane dhe se Maqedonia po bëhet pjesë e programit më të madh shëndetësor të Bashkimit Evropian. Kjo nënkupton hapjen e një porte evropiane në shëndetësi për institucionet tona, institucionet shëndetësore, komunitetin akademik, organizatat profesionale dhe shoqatat e pacientëve. Nëse viti i parë i mandatit ishte vit i vendosjes së drejtimit, viti i dytë do të jetë vit i shfrytëzimit të mundësive të EU4Health dhe i pjesëmarrjes aktive në proceset shëndetësore evropiane”, theksoi ministri Aliu.

EU4Health është një program me buxhet operacional prej 4.4 miliardë eurosh për periudhën 2021–2027. Me anëtarësimin në këtë program, shteti ynë fiton mundësinë të marrë pjesë në thirrje, grante, prokurime publike, veprime të përbashkëta dhe partneritete evropiane.

“Vlera më e madhe e EU4Health nuk qëndron vetëm te fondet, por te standardet, njohuritë, rrjetet evropiane dhe mundësia që sistemi ynë shëndetësor të marrë pjesë në proceset e përbashkëta shëndetësore evropiane. Ky program hap mundësi për projekte në shëndetësinë digjitale, European Health Data Space, parandalimin, skriningun, shëndetin mendor, gatishmërinë ndaj krizave, qasjen në barna dhe produkte mjekësore, si dhe forcimin e kapaciteteve të personelit shëndetësor. Pas anëtarësimit, detyra jonë është të ndërtojmë kapacitete operative dhe të përgatisim aplikime konkrete për projekte”, shtoi Aliu.

Ai sqaroi se pandemia tregoi se asnjë shtet nuk mund të përballet i vetëm me të gjitha rreziqet shëndetësore. Pikërisht për këtë arsye, EU4Health paraqet një hap të rëndësishëm drejt sigurisë shëndetësore, e cila nuk varet vetëm nga kapacitetet vendore, por edhe nga solidariteti evropian, koordinimi dhe burimet e përbashkëta.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume