Gjykata e Pejës ka caktuar sot, më 28.10.2026, masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Albert Sylajt, i cili dyshohet se është personi që ka vrarë ish-kunatën e tij, Arlinda Zekajn, më 25.10.2026 në Vitomiricë të Pejës.

Kështu, Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Pejës lidhur me të dyshuarin për vrasjen që tronditi vendin.

KALLXO ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, dhe në të përshkruhen veprimet e të dyshuarit në ditën kritike.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se i dyshuari Albert Sylaj nga hakmarrja e paskrupullt e ka privuar nga jeta ish-kunatën e tij, pasi kjo e fundit e kishte raportuar vëllanë e tij (ish-burrin e saj) për dhunë në familje.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, pasi e ndjera ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor në Pejë, ku e kishte raportuar dhunën nga ana e ish-bashkëshortit të saj, i pandehuri Albert Sylaj në shenjë hakmarrjeje për ndalimin e vëllait të tij (Jeton Sylajt) nga Policia, në momentin kur viktima kishte hyrë në dhomën e saj të fjetjes i pandehuri e merr sëpatën dhe hyn në dhomën ku ishte viktima.

Sipas Prokurorisë, viktima ishte munduar të fshihej pas derës dhe i pandehuri fillon ta godasë në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në kokë, e për pasojë ajo mbetet e vdekur në vend të ngjarjes.

Në kërkesë, Prokuroria ka listuar edhe rreziqet që mund të hasen nëse i pandehuri lihet në liri.

Sipas Prokurorisë i njëjti është arratisur nga data 25 deri më 27 tetor 2026, si dhe ekziston rreziku i ndikimit të dëshmitarëve dhe fshehja e provave.

Prokuroria ka thënë se nëse i pandehuri lihet në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, pasi duke u bazuar në të kaluarën e tij i pandehuri është i dënuar me katër aktgjykime të formës së prerë.

Sipas Prokurorisë, masat e tjera alternative nuk janë të mjaftueshme për të siguruar praninë e të pandehurit e në procedure penale.

Vrasja e Arlinda Zekajt

Arlinda Zekaj u vra të dielën, më 25.10.2026, në Vitomiricë të Pejës.

I dyshuar për vrasjen është ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili ishte në arrati për dy ditë.

Bazuar në të dhënat fillestare, Policia ka deklaruar se dyshohet që vdekja e saj të ketë ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.

Vetëm pak kohë para se të vritej, rreth orës 19:00 të së dielës, Arlinda Zekaj kishte raportuar në stacionin policor të Pejës rast të dhunës në familje.

Siipas informacioneve të siguruara nga KALLXO, viktima më 22.10.2026, rreth orës 16:00, kishte telefonuar Policinë për t’u ankuar lidhur me moszbatimin e vendimit të Gjykatës për kujdestarinë e fëmijës së saj.

Fillimisht, ajo ishte njoftuar nga Policia se për momentin nuk kishte në dispozicion automjet zyrtar dhe se sapo të pajisej me një të tillë do t’i përgjigjej ankesës së saj.

Tutje, sipas informacioneve të siguruara, në ora 17:10, Policia ishte pajisur me automjet zyrtar dhe i ishte përgjigjur telefonatës në fjalë.

Atë mbrëmje, Zekaj e kishte njoftuar Policinë e Kosovës se në shtëpinë e saj ndodheshin persona të tjerë, të cilët po qëndronin aty pa vullnetin e saj.

Brenda shtëpisë Policia ka takuar nënën e ish-bashkëshorit, kunatin e saj (Albert Sylajn, dorasi i dyshuar), dhe dy fëmijët e tij.

Në deklaratën e saj në Polici, Zekaj kishte shprehur mospajtimin me qëndrimin në shtëpi të familjarëve të ish-bashkëshortit, pasi konsideronte se ata nuk kishin të drejtë të qëndronin aty.

Sipas informacioneve të siguruara, Zekaj kishte deklaruar në Polici se në një moment kunati i saj, Albert Sylaj, i ishte drejtuar me fjalët: “Largomu, largomu se t’mys”.

Po ashtu, ajo kishte deklaruar se ishte përballur edhe me një sulm verbal nga ana e Albert Sylajt në momentin kur kishte tentuar ta merrte digitronin.

KALLXO ka mësuar se me urdhër të prokurores fillimisht ishte kërkuar të përpilohej një shënim zyrtar, ndërsa palëve të përfshira u ishte kërkuar t’i siguronin dhe t’i dorëzonin incizimet nga kamerat e sigurisë, të cilat ishin të instaluara në shtëpinë e banimit.

Siç njoftoi Policia, viktima është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar, e më pas është dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Sipas Policisë, ajo ishte kthyer në shtëpi me vullnetin e saj.

Organet e rendit kanë deklaruar se pas raportimit për dhunë në familje, burri i viktimës ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

Rreth orës 21:10, pasi viktima ishte kthyer në shtëpi, Policia ka marrë informatën se ajo ishte vrarë.