Tetovasot raporton se një 55-vjeçar nga fshati Tearcë është arrestuar pasi dyshohet se ka shkaktuar zjarr në një arë përgjatë rrugës rajonale Tetovë–Jazhincë.
Sipas policisë, zjarri ka shpërthyer më 25 qershor rreth orës 12:00 dhe ka përfshirë bar të thatë. Pas ndërhyrjes së Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë, flakët janë lokalizuar plotësisht.
Tetovasot mëson se pas hetimeve policore është konstatuar se zjarrin dyshohet se e ka shkaktuar G.C. (55), i cili është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.