Studentët e Psikologjisë të UT-së realizuan vizita profesionale në qendrat për shërbimin dhe trajtimin e fëmijëve
Studentët e programit studimor të Psikologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës, në kuadër të lëndës “Psikologjia e personave me nevoja të veçanta”, realizuan disa vizita studimore në qendra të specializuara që ofrojnë shërbime profesionale për fëmijët. Këto aktivitete kishin për qëllim zgjerimin e njohurive, pasurimin e përvojës praktike dhe njohjen e drejtpërdrejtë me qasjet dhe praktikat profesionale në këtë fushë.
Vizitat u realizuan nën udhëheqjen e profesoreshës së lëndës, Prof. Dr. Sara Sadiki, në bashkëpunim me stafin profesional të katër qendrave: Qendrës “Persona” dhe Qendrës “Blue Puzzle” në Gostivar, Qendrës “Hipokampus” në Tetovë dhe Qendrës “Dua Ylberin” në Shkup.
Gjatë vizitave, studentët patën mundësinë të informohen me organizimin dhe funksionimin e qendrave, ambientet e punës, qasjet dhe format e ndërhyrjes profesionale, si dhe instrumentet dhe mjetet që përdoren për vlerësimin, monitorimin dhe ndjekjen e progresit të fëmijëve. Një përvojë veçanërisht e rëndësishme ishte mundësia për të vëzhguar seanca të trajtimit dhe ndërhyrjes profesionale, përmes të cilave studentët kuptuan më konkretisht mënyrën e zbatimit të njohurive teorike në praktikën e përditshme me fëmijët.
Një aspekt tjetër me rëndësi i këtyre vizitave ishte takimi me ish-studentë të Universitetit të Tetovës, të cilët aktualisht janë pjesë e stafit profesional të këtyre qendrave. Përmes ndarjes së përvojave dhe njohurive të fituara gjatë angazhimit të tyre profesional, ata u ofruan studentëve një perspektivë konkrete mbi kalimin nga formimi akademik në ushtrimin e profesionit. Njëkohësisht, ky takim dëshmoi kontributin e të diplomuarve të Universitetit të Tetovës në ofrimin e shërbimeve profesionale për fëmijët dhe familjet e tyre.
Këto vizita studimore përbëjnë një dimension të rëndësishëm të procesit mësimor dhe pasqyrojnë orientimin e programit studimor të Psikologjisë drejt ndërlidhjes së njohurive teorike me përvojën praktike, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me mjediset profesionale. Ato kontribuojnë në përforcimin e kompetencave akademike dhe profesionale të studentëve, duke u mundësuar atyre të kuptojnë më mirë sfidat dhe përgjegjësitë që përfshin puna me fëmijët me nevoja të veçanta.





