Azir Aliu në Riga: Vendet e vogla mund të jenë lidere në zgjidhjet digjitale në sistemet shëndetësore
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, po merr pjesë në takimin e dymbëdhjetë të nivelit të lartë të Nismës për Vendet e Vogla të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, i cili po mbahet në Riga, Latvi. Takimi dyditor i kushtohet një prej çështjeve më të rëndësishme për sistemet shëndetësore në Evropë – si vendet e vogla, në kushte të burimeve të kufizuara, migrimit të personelit shëndetësor, plakjes së popullsisë dhe rritjes së nevojave të pacientëve, mund të krijojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe inovative për fuqinë punëtore në shëndetësi.
“Vendet e vogla jo gjithmonë kanë burimet më të mëdha, por mund të kenë përshtatjen më të shpejtë, koordinimin më të mirë dhe vullnetin politik më të fortë për ndryshime. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një sistem shëndetësor që e përdor më mirë dijen e punonjësve shëndetësorë, e zvogëlon barrën administrative dhe mundëson më shumë kohë për pacientët”, theksoi ministri Aliu në fjalimin e tij.
Ministri Aliu mori pjesë në sesionin kushtuar optimizimit të fuqisë punëtore në shëndetësi, ku prezantoi Strategjinë Kombëtare për Shëndetësi Digjitale 2026–2030 si një nga proceset kryesore reformuese në vend. Ai theksoi se digjitalizimi nuk është vetëm modernizim teknik, por një mënyrë që sistemi shëndetësor të organizojë më mirë rrugën e pacientit, të lidhë nivelet e kujdesit shëndetësor dhe t’i ndihmojë punonjësit shëndetësorë të punojnë me më pak pengesa administrative dhe me qasje më të mirë në të dhënat relevante.
“Për ne, shëndetësia digjitale nuk është qëllim në vetvete. Ajo është një instrument për kujdes më të mirë. Kur të dhënat e ndjekin pacientin, mjeku ka një pasqyrë më të plotë, pacienti merr shërbim më të shpejtë dhe më të sigurt, ndërsa sistemi bëhet më i organizuar dhe më i përgjegjshëm”, tha Aliu.
Në këtë kontekst, ministri prezantoi hapat e ardhshëm që po ndërmerr Ministria e Shëndetësisë: rrugë të digjitalizuara të trajtimit, referim dhe triazh prioritar, zhvillim të ekipeve multidisiplinare që lidhin kujdesin shëndetësor primar, sekondar dhe terciar, si dhe projektin pilot për teledermatologji, i cili synon ta afrojë shërbimin specialistik te pacientët në zonat rurale dhe të largëta.
Ai u ndal gjithashtu te Ligji i ri për evidencat në shëndetësi, si pjesë e procesit të harmonizimit me Hapësirën Evropiane të të Dhënave Shëndetësore, si dhe te avancimi i regjistrit kombëtar të punonjësve shëndetësorë.
Në panelin kushtuar teknologjisë digjitale dhe inteligjencës artificiale, ministri Aliu, së bashku me ministra dhe përfaqësues nga vende të tjera evropiane, foli për rolin e inteligjencës artificiale në shëndetësi dhe për kalimin nga sistemet e fragmentuara drejt një arkitekture shëndetësore të lidhur dhe të udhëhequr nga të dhënat. Njëkohësisht, ai porositi se inteligjenca artificiale mund të jetë një mbështetje e fuqishme për shëndetësinë, por nuk guxon të bëhet zëvendësim për përgjegjësinë njerëzore.
Pjesëmarrja në takimin në Riga është pjesë e angazhimit më të gjerë të Ministrisë së Shëndetësisë për përfshirje aktive në proceset shëndetësore evropiane, shkëmbim përvojash me vendet e tjera dhe zbatim të zgjidhjeve inovative që mund ta rrisin qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor.
