Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mori pjesë sot në hapjen e trajnimit për hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale të lidhura me drogën, të organizuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trajnimi po zhvillohet në Akademinë e Policisë në Shkup dhe është pjesë e projektit që synon të mbështesë zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Drogën. Fokus i tij është forcimi i kapaciteteve për zhvillimin e hetimeve komplekse, përmes ndërlidhjes së hetimeve penale dhe financiare, konfiskimit të pasurisë dhe përdorimit të teknikave speciale hetimore.

Në fjalimin e tij, Toshkovski tha se lufta kundër trafikimit të drogës mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas tij, operacionet e realizuara deri më tani dëshmojnë angazhimin e institucioneve për përballjen me këtë formë të krimit.

“E filluam vitin duke zbuluar mbi 10 kilogramë kokainë, për të vazhduar me një nga operacionet më të mëdha, ku u sekuestruan mbi 40 tonë marijuanë dhe biomasë kanabisi. Në aksione të ndara u sekuestruan edhe 150 dhe 65 kilogramë marijuanë, ndërsa në aksionin e fundit, javën e kaluar, u zbuluan 680 kilogramë rrënjë kanabisi”, deklaroi Toshkovski.

Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar edhe disa raste që lidhen me heroinën dhe drogat sintetike, përfshirë amfetaminën, metamfetaminën dhe MDMA-në.

Sipas ministrit, fokusi i mëtejshëm duhet të jetë në avancimin e hetimeve, në mënyrë që veprimet policore të mos përfundojnë vetëm me zbulimin dhe sekuestrimin e lëndëve narkotike, por të shtrihen edhe te personat dhe strukturat kriminale që qëndrojnë pas këtij aktiviteti, si dhe te flukset financiare që burojnë nga tregtia e paligjshme e drogës.

“Qëllimi ynë është që këto aktivitete të vazhdojnë me efikasitet edhe më të madh dhe të drejtohen jo vetëm në sekuestrimin e drogës, por edhe në zbulimin e personave, strukturave dhe flukseve financiare pas tregtisë së tyre. Kjo kërkon bashkëpunim të fortë ndërkombëtar, shkëmbim informacioni në kohë dhe veprim të përbashkët”, theksoi Toshkovski.

Në fund, ministri shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe operacionale të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe për bashkëpunimin me UNODC-në në kuadër të projektit dhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume