Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, mori pjesë
sot në aktivitetin “IFC Day in North Macedonia”, të organizuar nga Korporata Financiare
Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore. Ngjarja iu kushtua
perspektivave të tranzicionit energjetik dhe zhvillimit të prodhimit të orientuar drejt
eksportit në vend.
Ngjarja, e cila për herë të parë organizohet në Maqedoni në partneritet me institucionet
shtetërore, përfaqëson një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe
ideve ndërmjet hartuesve të politikave, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe
sektorit privat, me qëllim nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe investimeve.
Ministrja Bozhinovska ishte paneliste në diskutimin kushtuar tranzicionit energjetik, së
bashku me përfaqësues të IFC-së, Bankës Botërore, MEPSO-s dhe sektorit privat.
„Po krijojmë një kornizë ligjore për një sistem energjetik më të qëndrueshëm dhe më të
sigurt. Ligji i ri për Energjinë, i miratuar në vitin 2025, e harmonizon Maqedoninë me
Paketën e Energjisë së Pastër të Bashkimit Evropian dhe vendos një kornizë më të fortë
për zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, sistemeve të ruajtjes së
energjisë, tregjeve të tregtimit një ditë më parë, pjesëmarrje më të madhe të
konsumatorëve, planifikimin në kushte emergjente dhe planifikimin dhjetëvjeçar të rrjetit.
Veçanërisht e rëndësishme është se ligji sjell rregulla më të qarta për kyçjen në rrjetin
elektroenergjetik dhe e trajton ruajtjen e energjisë si një veprimtari të veçantë të
rregulluar, gjë që është thelbësore nëse duam që burimet e ripërtëritshme të energjisë
ta forcojnë, e jo ta cenojnë sigurinë e furnizimit,” theksoi Bozhinovska.
Në fjalën e saj, ajo paraqiti prioritetet e Ministrisë në drejtim të modernizimit të sektorit
energjetik, përshpejtimit të investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe
krijimit të një klime investuese të parashikueshme dhe transparente.
Bozhinovska theksoi se është në fazën përfundimtare miratimi i legjislacionit të
harmonizuar me Paketën e Bashkimit Evropian për Integrimin e Tregjeve të Energjisë, e
cila më pas do t’i nënshtrohet verifikimit nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe
Komisioni Evropian. Operatori maqedonas i tregut të organizuar të energjisë elektrike
(MEMO) po bashkëpunon në mënyrë aktive me BSP-në në kuadër të procesit më të
gjerë të ndërlidhjes së tregjeve në Evropën Juglindore. Qëllimi ynë është që tregu
maqedonas të integrohet më me efikasitet me tregjet rajonale dhe evropiane të
energjisë elektrike, sepse integrimi më i thellë i tregut nënkupton likuiditet më të madh,
mundësi më të mira për menaxhimin e rreziqeve dhe besim më të lartë nga investitorët,”
theksoi Bozhinovska

Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale mbetet e përkushtuar në
zbatimin e reformave dhe krijimin e kushteve për një tranzicion energjetik të
qëndrueshëm, përmes bashkëpunimit me partnerët vendas dhe ndërkombëtarë, në
interes të zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit energjetik të shtetit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume