Të paktën 16 persona kanë humbur jetën nga një shpërthim në një fabrikë të prodhimit të hekurit dhe çelikut në zonën Aliağa të Izmirit, në Turqinë perëndimore.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, konfirmoi bilancin e ri të viktimave pas përfundimit të mbledhjes së kabinetit qeveritar.

Ngjarja ndodhi të hënën, më 9 nëntor, rreth orës 12:00 sipas kohës lokale, në ambientet e kompanisë HABAŞ. Pas shpërthimit, një zjarr përfshiu një pjesë të uzinës, ndërsa shtëllunga të dendura tymi u ngritën mbi kompleksin industrial.

Sipas të dhënave paraprake të autoriteteve turke, aksidenti ndodhi gjatë procesit të derdhjes së çelikut të shkrirë. Një vinç industrial u shkëput nga struktura mbajtëse dhe ra në një furrë elektrike, duke shkaktuar shpërthimin.

Autoritetet raportuan gjithashtu 14 persona të plagosur, të cilët ekipet e emergjencës i transportuan në spitale të ndryshme të rajonit. Tre prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën në rrënojat e fabrikës, pasi autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që persona të tjerë të kenë mbetur të bllokuar.

Institucionet përgjegjëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit dhe për të verifikuar kushtet e sigurisë në uzinë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume