Bozhinovska në Stamboll: Maqedonia prezanton potencialet energjetike dhe investuese para biznesit turk
Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, do të
marrë pjesë në Stamboll në Forumin e Biznesit Maqedonia e Veriut – Turqia, një ngjarje
e rëndësishme ekonomike kushtuar thellimit të bashkëpunimit dypalësh, tërheqjes së
investimeve dhe hapjes së mundësive të reja për partneritete ndërmjet kompanive dhe
institucioneve të të dyja shteteve.
Në forum do të marrë pjesë edhe një delegacion i lartë qeveritar i Maqedonisë së Veriut,
i udhëhequr nga Kryeministri, Hristijan Mickoski, ku bëjnë pjesë edhe ministrat
përgjegjës për sektorët e ekonomisë, energjisë dhe infrastrukturës. Nga pala turke,
mikpritës i ngjarjes do të jetë ministri i Tregtisë i Republikës së Turqisë, Ömer Bolat,
ndërsa organizimi realizohet nga Ministria e Tregtisë e Republikës së Turqisë dhe DEİK
– Këshilli për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë.

Forumi do të bashkojë përfaqësues të qeverive, institucioneve dhe komuniteteve të
biznesit nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia, me qëllim avancimin e marrëdhënieve
ekonomike, rritjen e shkëmbimit tregtar dhe nxitjen e iniciativave të reja investuese.
Në kuadër të forumit, ministrja Bozhinovska do të marrë pjesë në panel-diskutimin
“Bashkëpunimi dypalësh në tregti, industri, prodhim dhe zinxhirët e furnizimit”, ku do të
prezantojë mundësitë që ofron Maqedonia e Veriut në sektorët e energjetikës, minierave
dhe burimeve minerale, si dhe proceset reformuese të orientuara drejt krijimit të një
klime investuese të qëndrueshme, të parashikueshme dhe konkurruese.
Në margjinat e forumit, ministrja Bozhinovska do të zhvillojë një takim dypalësh me
ministrin e Tregtisë të Republikës së Turqisë, prof. dr. Ömer Bolat.

Në takim pritet të
shqyrtohen mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve,
rritjen e investimeve turke në Maqedoninë e Veriut, si dhe potencialet për bashkëpunim
në fushën e energjetikës, minierave dhe zhvillimit të industrive strategjike.
Forumi i Biznesit paraqet një platformë të rëndësishme për lidhjen e institucioneve dhe
komunitetit të biznesit të të dyja shteteve, si dhe një nxitje shtesë për forcimin e lidhjeve
ekonomike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, si edhe për hapjen e
mundësive të reja për investime dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.